Çmimi i arit shënoi rënie të premten, duke iu afruar nivelit më të ulët në gati tre muaj. Kërkesën për metalin e çmuar e ndikuan shitjet masive të aksioneve të teknologjisë dhe shqetësimet për inflacionin, të nxitura nga rritja e çmimeve të naftës.

Ari tregtohej me 4.015,63 dollarë për ons, duke rënë për 9,19 dollarë, ose 0,23 për qind, deri në orën 06:30 sipas kohës GMT. Gjatë muajit të fundit, çmimi i tij ka rënë për 6,08 për qind, ndërsa krahasuar me një vit më parë, rënia ka arritur në 2,36 për qind.

Kjo rënie erdhi në kohën kur humbjet në tregun e aksioneve të kompanive të teknologjisë dhe të inteligjencës artificiale i shtynë investitorët të shesin metale të çmuara, me qëllim mbulimin e humbjeve në pjesë të tjera të portofoleve të tyre.

Reklamë

Shqetësimet lidhur me kostot e investimeve në inteligjencën artificiale u shtuan pasi kompania Meta Platforms prezantoi planet për rritjen e shpenzimeve kapitale. Kjo nxiti frikën se kompanitë e teknologjisë mund të marrin më shumë borxhe për të financuar zgjerimin e tyre.

Presion shtesë mbi çmimin e arit krijuan edhe çmimet në rritje të naftës, të cilat shtuan shqetësimet për inflacionin dhe forcuan pritjet se normat e interesit mund të mbeten të larta për një periudhë më të gjatë.

Normat e larta të interesit zakonisht e bëjnë arin më pak tërheqës për investitorët, pasi ai nuk gjeneron interes, ndryshe nga asetet që ofrojnë kthime nga interesi.

Megjithatë, pasiguria lidhur me qëndrueshmërinë e investimeve në inteligjencën artificiale, e cila është një nga kontribuuesit kryesorë në rritjen ekonomike të Shteteve të Bashkuara, bëri që tregjet të ulnin pritjet për rritje të mëtejshme të normave të interesit nga Rezerva Federale amerikane. Kjo ofroi njëfarë mbështetjeje për metalet e çmuara.