Reperi i njohur shqiptar Capital T ka reaguar publikisht ndaj zhvillimeve të fundit në Shqipëri, duke shprehur mbështetje të plotë për studentët protestues dhe qytetarët që kërkojnë respektimin e të drejtave të tyre.
Përmes një videomesazhi, artisti ka shprehur shqetësimin për pamjet e dhunës të raportuara gjatë protestave, duke theksuar se nuk mund të qëndrojë indiferent përballë situatës.
Reagimi i tij vjen pak ditë pas një bisede telefonike me një efektiv të policisë shqiptare, i cili, sipas raportimeve, i kishte kërkuar të paraqitej pas kthimit nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Capital T ka bërë të qartë se mbështetja për studentët dhe qytetarët nuk lidhet me interesat e tij personale apo profesionale, por me përgjegjësinë që ndien ndaj njerëzve që e kanë përkrahur gjatë karrierës.
“Qysh po mendojnë që me i pa ato skena të ndodhura dhe të mos reagoj? Normal që kam me reagu dhe absolutisht jam në suport të studentëve dhe njerëzve të mi për çdo kauzë që ka të bëjë me të drejtat e tyre”, është shprehur reperi.
Artisti ka theksuar se zhvillimet e fundit e kanë prekur emocionalisht dhe se mirëqenia e qytetarëve mbetet për të më e rëndësishme se çdo angazhim muzikor.
“Na dhemb zemra ta shikojmë Shqipërinë në këtë lloj gjendje dhe njerëzit e mi që mua më kanë përkrahur e ma kanë dhënë këtë dashuri. Nuk kam kurrfarë llogarie të bërë kur vjen puna për këta njerëz. Nuk ekziston asgjë më e madhe sesa mirëqenia e popullit tim”, ka deklaruar ai.
Capital T ka shtuar se e ka të pamundur të vazhdojë aktivitetin artistik sikur të mos kishte ndodhur asgjë, ndërkohë që sheh pamje të tilla nga protestat.
S’mund as me bo muzikë, as me publiku këngë, as me bo koncerte derisa unë shoh ato skena dhe normal që do reagoj. Nuk ka kurrgjë që mundet me më nda”, ka theksuar reperi.
Në pjesën tjetër të mesazhit, këngëtari ka shprehur shpresën që kërkesat e studentëve të merren parasysh dhe që situata të qetësohet, duke bërë thirrje për ndërprerjen e dhunës.
Ai ka sqaruar gjithashtu se qëndrimet e tij publike nuk kanë për qëllim të tërheqin vëmendje apo të sigurojnë përfitime personale.
“Uroj që zëri i studentëve do të dëgjohet, uroj që të ndërpritet kjo dhunë e shkatërrim dhe dijeni që mua më keni përkrah. Unë e kam treguar në shumë etapa dhe nuk dua falënderim dhe as protagonizëm”, është shprehur ai.
Në përfundim, Capital T ka ritheksuar solidaritetin me qytetarët, duke deklaruar se do të vazhdojë të shprehë qëndrimin e tij sa herë që konsideron se po ndodhin padrejtësi.
“Unë jam thjesht një prej jush dhe për këto gjëra do të jem aty, për çdo padrejtësi”, ka përfunduar reperi.
Mesazhi i Capital T vjen në një periudhë tensionesh rreth protestave studentore në Shqipëri. Përmes reagimit të tij, artisti ka vënë theksin te rëndësia e dëgjimit të kërkesave të studentëve, shmangies së dhunës dhe respektimit të të drejtave të qytetarëve.