Drejtori i Onkologjisë, Ilir Kurtishi, ka konfirmuar mungesën e ilaçit për të cilin ka folur edhe një paciente e kësaj klinike, që ka ndërruar jetë ditë më parë.
Kurtishi ka thënë se planifikimi për këtë terapi ka qenë për 40 pacientë e në praktikë janë trajtuar 80 pacientë, duke çuar sipas tij te shpenzimi i parakohshëm i barit.
Mungesa e barnave ka nxitur shumë reagime. Madje, përfaqësues të partive opozitare kanë ftuar në interpelancë ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia.
Klinika e Onkologjisë ka pranuar se bari “Palbociclib”, që përdoret në trajtimin e kancerit të avancuar të gjirit, mungoi në këtë klinikë për një periudhë për shkak se numri i pacientëve që filluan trajtimin me të ka qenë dyfish më i madh se planifikimi fillestar.
Qëndrimi u dha në një deklaratë të drejtorit të Klinikës Onkologjike, Ilir Kurtishi, pas vdekjes së një pacienteje, për të cilën Shoqata e Pacientëve me Kancer të Gjirit “Renesansa”, njoftoi se ajo humbi betejën me kancerin, pasi për katër muaj mbeti pa këtë medikament.
Deklarata e Kurtishit u publikua në faqen e Qendrës Klinike Universitare të Kosovës në Facebook të premten. Ai ka thënë se pacientja nuk ka qëndruar asnjëherë pa terapi edhe pse ka shtuar se për dy muaj pacientja e ka marrë vetë terapinë.
“Para gjashtë viteve e ndjera ishte diagnostikuar me kancer të gjirit, triple negative, si formë agresive e sëmundjes dhe e cila e kishte ndjekur sëmundjen për gjashtë vite me radhë. Në dhjetor të vitit 2025, tani e ndjera, kishte relaps të sëmundjes me metastaza të avancuar në peritoneum dhe në kocka dhe atëherë është paraqitur në Konsiliumin e Klinikës së Onkologjisë, me ç’rast është ridiagnostikuar si formë tjetër e kancerit të gjirit ose hormon pozitiv. Që nga dhjetor i vitit 2025, pacientja fillon dhe trajtohet me terapi të avancuar sipas protokolleve të trajtimit të sëmundjes me ilaçin Palbociclib dhe Fulvestrant që përshkruhet te format metastatike të trajtimit të sëmundjes hormon pozitive. Gjatë gjithë kohës dhe periudhës së trajtimit, ajo përcillet shumë afër nga mjekja, e cila e kontrollon dhe e trajton pacientin në cikle mujore. Dhe në Klinikën e Onkologjisë më 13 maj merr kutinë e fundit të Palbociclib, i zgjat deri më 13 qershor. Ndërkaq nga 13 qershori vazhdon të trajtohet prapë në Klinikën e Onkologjisë me Fulvestrant dhe në të njëjtën kohë siguron për dy muajt e ardhshëm dy kuti të barnave Palbociclib vetë pacientja. Ndërkaq më 18 gusht pacientja merr kutinë tjetër të Palbociclib në Klinikën e Onkologjisë dhe vazhdon mjekimin. Por edhe përkundër kësaj, pacientja gjatë gjithë kohës edhe pse është në trajtim, sëmundja metastatike agravon dhe avancon dhe paraqiten ndryshime të reja metastatike në tru dhe në boshtin kurrizor. Pra vlen të theksohet se pacientja edhe përkundër trajtimit apo asnjë moment të mosqëndrimit, asnjë moment pa barna, sëmundja agravon dhe avancon dhe në këtë mënyrë e rrezikon seriozisht shëndetin e saj”, ka deklaruar Kurtishi në video.
Sipas Kurtishit, mungesa e terapisë ka ndodhur për shkak se planifikimi ka qenë për trajtim të 40 pacientëve e në praktikë me të nisën trajtimin 80 pacientë dhe kjo ka çuar te shpenzimi i parakohshëm i barit.
“Vlen të theksohet se mungesa e barit Palbocicklib për dy muaj në Klinikën e Onkologjisë ka ardhur pikërisht për shkak të tejkalimit të shpenzimit të këtij bari, meqenëse planifikimi fillestar ka qenë për 40 pacientë, ndërkaq në realitet në praktikë kanë filluar trajtimin rreth 80 pacientë dhe kjo ka sjellë te shpenzimi i parakohshëm i këtij ilaçi. Arsyeja e vetme dhe qëllimi kryesor është që të gjithë pacientët të cilët kanë pasur nevojë të marrin trajtimin e duhur”, ka thënë Kurtishi.
Në përshkrim të videos, është thënë po ashtu se për palët e autorizuara dhe organet kompetente që dëshirojnë ta verifikojnë këtë ecuri “dosja e plotë mjekësore është e hapur dhe e qasshme për rishikim në Klinikën e Onkologjisë”.
Rasti nxiti reagime të mëdha edhe në Kuvend, në seancën e së enjtes. Deputetë të opozitës kërkuan llogari nga ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, për mungesën e barnave në Klinikën e Onkologjisë.
E, Vitia shfrytëzoi foltoren e Kuvendit për t’u marrë me raportimin e jo me arsyet e mungesës së barnave.
“Jo vetëm gazetarja, por edhe të tjerë dalin dhe këtë konstatim e bëjnë nga një status që ka qenë në Facebook, pa bërë as pyetje për shoqatën e as për institucionet. Siç duket, ose e prirë për klikime, ose e shtyrë nga dikush tjetër”, ka thënë Vitia.
Deklarimin e shpërndau në rrjete sociale edhe Qeveria, duke e cilësuar raportimin si keqinformim.
ë premten është bërë e ditur se deputetja nga radhët e Partisë Demokratike të Kosovës, Sala Jashari, ka protokolluar kërkesën për interpelancë ndaj Ministrit të Shëndetësisë, Arben Vitia. Sipas procedurës parlamentare, kërkesa e dorëzuar te Kryetarja e Kuvendit do t’i përcillet tutje Ministrisë dhe Qeverisë për t’u kthyer më pas në Kuvend, ku Kryesia do të vendosë për datën e mbajtjes së seancës.
Sipas Rregullores së Kuvendit mocioni për interpelancë i dorëzohet Kryetarit të Kuvendit. Tutje në rregullore thuhet se kryetari, brenda dy ditëve, pas marrjes së kërkesës për interpelancë, të njëjtën ia përcjell kryeministrit dhe se kryeministri është i detyruar ta shqyrtojë mocionin dhe t’i përgjigjet Kuvendit brenda shtatë ditësh.
“Interpelanca vihet në rendin e ditës të seancës plenare në afat prej shtatë (7) ditësh, pasi të merret përgjigjja nga Qeveria. Nëse Qeveria, brenda afatit të paraparë në paragrafin 5 të këtij neni, nuk e dërgon përgjigjen për interpelancën, ajo vihet si pikë e fundit e rendit të ditës së seancës plenare që është në zhvillim. Nëse Kuvendi nuk është duke mbajtur seancë, ajo vihet si pikë e parë e rendit të ditës të seancës së radhës. Kuvendi nuk mund ta refuzojë vënien e interpelancës në rendin e ditës, përveç në rast se ajo nuk i plotëson kushtet formale sipas paragrafit 4 të këtij neni”, thuhet në Rregulloren e Kuvendit.