Prokuroria Themelore në Pejë ka parashtruar kërkesë për caktimin e masës së paraburgimit ndaj Jeton Sylajt, ish-bashkëshortit të Arlinda Zekajt, e cila u vra më 25 tetor në Vitomiricë të Pejës nga kunati i saj, i cili ndodhet në arrati.
Sipas Prokurorisë, ndaj Jeton Sylajt ekziston dyshimi i bazuar se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, të përcaktuar me Kodin Penal të Republikës së Kosovës.
Prokuroria Themelore në Pejë, Departamenti i Përgjithshëm, ka bërë të ditur se kërkesa për paraburgim lidhet me veprimet që i pandehuri dyshohet se i ka ndërmarrë më 25 tetor, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë të Pejës.
Sipas kërkesës së Prokurorisë, rreth orës 17:58, Jeton Sylaj dyshohet se nuk i është bindur vendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026, i cili e obligonte të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike ndaj viktimës, të mos ia pengonte lëvizjen dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë.
“Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese”, thuhet në komunikatën e Prokurorisë.
Sipas organit të akuzës, Jeton Sylaj dyshohet se ka marrë edhe rrobat që viktima i kishte vendosur në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë.
“Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale ‘Mospërfillja e gjykatës’, nga neni 393, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në komunikatë.
Seanca për shqyrtimin e kërkesës për caktimin e masës së paraburgimit pritet të mbahet gjatë ditës së sotme në Gjykatën Themelore në Pejë.