Tetë raste të dhunës në familje janë raportuar në rajone të ndryshme të Kosovës, sipas raportit 24-orësh të Policisë së Kosovës.
Rastet janë raportuar në Prishtinë, Gjilan, Viti, Ranillug, Pejë, Rahovec, Gjakovë dhe Vushtrri, ndërsa në disa prej tyre të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje me vendim të prokurorit, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në Prishtinë janë raportuar dy raste. Në njërin prej tyre, një person dyshohet se ka sulmuar fizikisht babanë e tij, ndërsa në rastin tjetër është përfshirë ish-bashkëshorti i viktimës.
Në rajonin e Gjilanit janë raportuar dy raste. Në Ranillug, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht motrën e tij. Të dy kanë marrë tretman mjekësor. Ndërkaq, në Viti është raportuar se bashkëshorti dhe vëllai i një gruaje kanë ushtruar dhunë fizike ndaj saj. Viktima ka marrë tretman mjekësor, ndërsa të dyshuarit janë arrestuar dhe dërguar në mbajtje.
Në Pejë, një person është arrestuar pasi dyshohet se e ka kanosur ish-bashkëshorten përmes telefonit dhe më pas i ka dëmtuar xhamat e shtëpisë së nënës së saj.
Në Rahovec, një baba dhe vajza e tij kanë raportuar se djali dhe vëllai i tyre, përkatësisht, ushtron vazhdimisht dhunë psikike ndaj familjarëve.
Ndërsa në Gjakovë, një grua ka raportuar se është keqtrajtuar nga bashkëshorti i saj. I dyshuari është arrestuar dhe, pas intervistimit, është liruar në procedurë të rregullt.
Në Vushtrri, një person është arrestuar pasi dyshohet se ka sulmuar fizikisht bashkëshorten dhe më pas e ka larguar nga shtëpia. Me vendim të prokurorit, ai është dërguar në mbajtje.