Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Ganimete Musliu, ka kërkuar në mbledhjen e Komisionit për Çështje të Sigurisë dhe Mbrojtjes që drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, të ftohet javën e ardhshme për të raportuar lidhur me vrasjen e Arlinda Zekajt në Pejë.
Megjithatë, kërkesa e saj nuk u miratua. Kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, bëri të ditur se drejtori i Policisë do të raportojë pas katër javësh, për çështjet që kanë ngritur shqetësime te deputetët.
Musliu tha se, pas dilemave të ngritura lidhur me rastin, komisioni duhet ta dëgjojë Policinë e Kosovës për të kuptuar se si janë zhvilluar veprimet institucionale.
“U ngritën shumë dilema. Konsideroj që si komision duhet ta ftojmë Policinë, t’i dëgjojmë çka kanë me na thënë lidhur me rastin. Nëse del se nga ana e Policisë ka shkuar gjithçka në rregull, duhet t’i heqim dilemat. Shumë e domosdoshme është që të zbardhet rasti. Konsideroj se si komision na takon me dëgjua rrëfimin nga Policia e Kosovës”, tha ajo.
Musliu këmbënguli që drejtori i Policisë të ftohet në mbledhjen e javës së ardhshme, duke theksuar se kërkesa e saj nuk synon të fajësojë Policinë, por të sqarojë rrethanat e rastit.
“Unë kërkoj që javën tjetër, sot një javë, të ftohet drejtori i Policisë së Kosovës dhe të raportojë për vrasjen. Pa drejtuar gishtin, nuk po tentoj t’i lë faj unë, po dua ta mbroj Policinë. Ne mundemi me thirr edhe Inspektoratin Policor pastaj. Propozimi im është shumë i qartë, ju caktojeni”, kërkoi Musliu.
Ndërkaq, kryetari i komisionit, Mefail Bajqinovci, tha se për rastin do të ketë edhe komision hetimor, i cili do të shqyrtojë përgjegjësitë institucionale.
“Do të ketë komision hetimor dhe ai komision do të kryejë punën e vet. Ai komision do ta zbardhë të vërtetën se cili institucion e ka neglizhuar punën, nëse ka pasur [neglizhencë] në rastin e të ndjerës. Për çështjen në kampin e Vrellës, nuk është rrezikuar asgjë aty dhe në atë pjesë të kampit janë realizuar intervista të ndryshme dhe nuk ka pasur asnjë rrezik. Unë besoj se drejtori i Policisë do të raportojë muajin e ardhshëm”, tha Bajqinovci.
Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Shqipe Selimi, tha se rasti i Arlinda Zekajt dhe rastet e tjera të dhunës në familje duhet të trajtohen me seriozitet nga të gjitha institucionet përgjegjëse.
“Na ka tronditur jo vetëm ky rast, por të gjitha rastet e dhunës në familje. Janë të evidentueshme dhe të pafalshme mënyrat se si trajtohet gruaja në familjen shqiptare. Nga ky komision u bëj thirrje të gjitha organeve ligjzbatuese dhe të gjithë atyre që kanë të bëjnë me çështje sociale të merren me këto tema, të mos mbetet faji te gruaja apo te Policia e Prokuroria. Secili nga pak, atëherë rrumbullakësohet puna. Unë gjithsesi mendoj që Policia duhet të vijë dhe të raportojë”, tha Selimi.
Në fund të mbledhjes, Bajqinovci përsëriti se drejtori i Policisë së Kosovës, Gazmend Hoxha, do të raportojë para komisionit pas katër javësh.