Me qëllim të zbatimit të Ligjit nr. 08/L-122 për Financimin e Subjekteve Politike, Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka publikuar në uebfaqen e tij raportet e shpenzimeve për tremujorin e tretë të vitit 2026 (korrik-shtator) të subjekteve politike të përfaqësuara në Kuvendin e Republikës së Kosovës.

Sipas raportit financiar të Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), kjo parti ka shpenzuar 163 mijë e 644.98 euro gjatë periudhës 1 korrik deri më 30 shtator 2026, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.

Buxheti i LDK-së për këtë periudhë ishte 163 mijë e 869.24 euro, ndërsa diferenca mes buxhetit dhe shpenzimeve të realizuara ishte vetëm 224.26 euro.

Reklamë

Pjesa më e madhe e shpenzimeve të LDK-së gjatë këtij tremujori ishte për paga, për të cilat janë shpenzuar gjithsej 107 mijë e 50.82 euro.

Nga kjo shumë, 94 mijë e 763 euro ishin paga neto të punëtorëve, 1 mijë e 914.74 euro tatim, ndërsa kontributet e punëdhënësit dhe të punëtorëve ishin nga 5 mijë e 186.54 euro.

Kategoria e mallrave dhe shërbimeve përbënte shpenzimin e dytë më të madh të partisë, me gjithsej 54 mijë e 80.37 euro.

Në këtë kategori, LDK-ja ka shpenzuar 20 mijë e 456.10 euro për qira të ndërtesave, ndërsa 10 mijë e 696.83 euro për furnizime zyre.

Reklamë

Për shërbime të tjera kontraktuese, partia ka raportuar shpenzime prej 8 mijë e 500 eurosh, ndërsa për karburante për vetura 5 mijë e 731.69 euro.

Për marketing dhe informim publik janë shpenzuar 4 mijë e 932 euro, ndërsa për mirëmbajtjen dhe riparimin e automjeteve 2 mijë e 417.82 euro.

LDK-ja ka raportuar gjithashtu 1 mijë e 283.31 euro për shërbime të telekomunikimit, përfshirë internetin dhe telefoninë, si dhe 73.50 euro për avans dhe interes bankar.

Reklamë

Sa u përket shpenzimeve komunale, ato arritën në 2 mijë e 244.79 euro. Prej kësaj shume, 999.91 euro ishin për energji elektrike, 504 euro për mbeturina dhe 1 mijë euro për shërbime të tjera publike komunale.

Në kategorinë e shpenzimeve kapitale, LDK-ja ka raportuar 269.12 euro.

Sipas raportit, në korrik partia ka shpenzuar 78 mijë e 779.38 euro, ndërsa në gusht 76 mijë e 179.01 euro. Në shtator, shpenzimet kanë qenë dukshëm më të ulëta, me gjithsej 8 mijë e 686.59 euro.

Raporti financiar i LDK-së i referohet periudhës 1 korrik deri më 30 shtator 2026 dhe është raportuar më 1 tetor 2026/Reporteri.net/

Reklamë