Një moment i pazakontë ka ndodhur në televizionin publik të Vojvodinës në Serbi, ku edicioni i lajmeve i së hënës, në orën 17:00, ka nisur me një kërkimfalje publike për shikuesit.

Pas transmetimit të pamjeve të qytetarëve të Novi Sadit që festonin rezultatet e zgjedhjeve, prezantuesi ka lexuar një deklaratë të fortë, duke pranuar se televizioni për vite të tëra kishte dështuar në misionin e tij për informim të drejtë dhe të paanshëm.

“Për shumë vite kemi heshtur, kemi mbyllur sytë, kemi informuar në mënyrë të njëanshme dhe nuk kemi bërë pyetjet që duhej t’i bënim. Për këtë u detyrohemi shikuesve një falje”, thuhej në deklaratë.

Reklamë

Prezantuesi ka theksuar se një pjesë e gazetarëve dhe punonjësve të RTV-së kishin luftuar për gazetari të lirë dhe profesionale, por nuk kishin arritur ta fitonin këtë betejë në kohë.

Reklamë

Kërkimfalja historike është shoqëruar edhe me dorëheqje në drejtimin e televizionit. Nenad Çaçiç, ushtrues detyre i drejtorit të programit të parë, ka dhënë dorëheqje pas kërkesave të një pjese të punonjësve dhe drejtorit të përgjithshëm, Goran Karaxhiç.

Ky zhvillim shënon një pranim të rrallë publik të dështimit editorial nga një transmetues publik në Serbi.