Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, ka reaguar ndaj protestave në Tiranë, duke i akuzuar protestuesit për dhunë dhe cenim të lirisë së qytetarëve për të lëvizur lirshëm në kryeqytet.

Në një mesazh drejtuar qytetarëve, Rama ngriti pyetjen se kush janë protestuesit dhe në emër të kujt, sipas tij, po përpiqen t’ua imponojnë të tjerëve atë që e cilësoi si “forcën e antiligjit dhe të antinjerëzillëkut”.

Ai tha se protestat nuk mund të konsiderohen normale kur, sipas tij, një turmë përdor dhunën dhe shkel normat e bashkëjetesës, duke përmendur thyerjen e xhamave të Ministrisë së Arsimit dhe të dyqaneve përreth saj.

Reklamë

Rama theksoi se shqetësimi i tij nuk lidhet vetëm me mbështetësit e qeverisë, por edhe me qytetarët që nuk e kanë votuar atë dhe që nuk pajtohen me politikat e tij, por që, sipas tij, duan të lëvizin lirshëm dhe të mos detyrohen të ndryshojnë përditshmërinë për shkak të protestave.

“Kur them të gjithë nuk kam parasysh veten, qeverinë, shumicën parlamentare, por pa përjashtim të gjithë ata që nuk janë pjesë e këtij agresioni dhe që përjetojnë frikë nga kjo turmë dhunuesish urbanë dhe përndjekësish online”, tha Rama.

Kreu i qeverisë shqiptare pretendoi se protestuesit kanë shqetësuar qytetarët për muaj të tërë me britma dhe fyerje në rrugët e kryeqytetit, ndërsa i akuzoi se kanë bllokuar trafikun dhe më pas kanë përdorur gurë dhe zjarr kundër qytetit, institucioneve dhe Policisë së Shtetit.

“Kush janë këta dhe në emër të kujt duan të na imponojnë forcën e antiligjit dhe të antinjerëzillëkut?”, u shpreh Rama.

Ai i përshkroi protestuesit si një grup të përbërë nga individë dhe kategori të ndryshme shoqërore, të bashkuara, sipas tij, nga kërkesa për largimin e qeverisë.

Reklamë

Rama kundërshtoi pretendimet se protestuesit përfaqësojnë popullin, duke thënë se asnjë grup i veçantë nuk mund të flasë në emër të të gjithë qytetarëve pa një mandat prej tyre.

“Keqkuptim i madh shumë! Fatmirësisht askush nuk është populli veç popullit”, deklaroi ai.

Në fund të mesazhit, kryeministri kritikoi edhe mediat televizive, të cilat i akuzoi se po i japin vëmendje dhunës dhe paligjshmërisë.

“Ky mishmash i të keqkuptuarish që kanë marrë peng Tiranën, bashkë me vëmendjen e një populli të tërë falë edhe ekraneve të korruptuara televizive që i bëjnë hosana dhunës dhe paligjshmërisë, nuk ka asnjë lidhje me popullin dhe autorizim për të folur për popullin. As kjo turmë e verbër dhe as ne vetëm, por vetëm populli i jep mandatet”, tha Rama.

Reklamë