Aleksandar Vuçiç u pengua të ndërmerrte një grusht shteti të dhunshëm pas humbjes në zgjedhje, pasi u bind të hiqte dorë nga ky plan pas bisedimeve me përfaqësues të qeverive evropiane, raporton gazeta britanike “The Times“, duke cituar politikanë dhe një ish-zyrtar të lartë të policisë serbe.
Sipas burimeve të gazetës, Vuçiqi ishte i gatshëm të përdorte forcën për të qëndruar në pushtet, por ndryshoi qëndrim pasi u bë e qartë se Lista Studentore kishte fituar rreth 500 mijë vota më shumë në zgjedhjet parlamentare të së dielës. Ai gjithashtu dyshohet se kishte marrë telefonata nga zyrtarë, të cilët e paralajmëruan të mos tentonte t’i kundërshtonte rezultatet zgjedhore.
Spasoje Vuleviq, ish-komandant i Njësisë Speciale Antiterroriste të Serbisë (SAJ), deklaroi për The Times se Vuçiçi kishte dërguar 4 mijë policë dhe 3 mijë persona të dhunshëm në qendër të Beogradit për të mbrojtur regjimin.
“Jam 100 për qind i sigurt se kishte planifikuar të refuzonte njohjen e rezultateve”, tha Vuleviq, raporton “Nova“.
Edhe Sandro Goci, eurodeputet dhe president i Partisë Demokratike Evropiane, tha se gjatë ditës së zgjedhjeve kishin marrë informacione alarmante nga burime diplomatike.
“Të dielën morëm raporte alarmante nga burime diplomatike se Vuçiçi ishte i gatshëm të luftonte dhe të kryente grusht shteti”, deklaroi Goci.
Ndërkaq, Radomir Saiçiq, një nga kandidatët kryesorë të Listës Studentore, pretendoi se ekzistonte një plan për të anuluar vullnetin e zgjedhësve përmes forcës, në rast se rezultati do të ishte i ngushtë.
Sipas tij, Vuçiçi ndryshoi vendim pasi mori telefonata nga pjesëtarë të policisë dhe qarqe të tjera, të cilët e paralajmëruan se zbatimi i një plani të tillë do të kishte pasoja të rënda për të.
Sipas The Times, gjatë ditës së zgjedhjeve, burra të veshur me të zeza u panë duke lëvizur drejt parkut Pionirski në Beograd, ku pritej të rikthehej kampi me tenda i mbështetësve të Vuçiçit.
Vuleviq tha se ata dërgoheshin në grupe prej 20 deri në 30 personash. Ndërkohë, pjesëtarë të Xhandarmërisë serbe kishin zënë pozicione, disa rrugë ishin mbyllur dhe ndriçimi publik ishte fikur.
Rade Gjuriq, jurist i Shoqatës së Pavarur të Gazetarëve të Serbisë, tha se dyshonte që autoritetet kishin përgatitur një skenar për të kundërshtuar rezultatet, duke pretenduar parregullsi gjatë votimit dhe duke kërkuar përsëritjen e zgjedhjeve. Sipas tij, kjo mund të nxiste protesta, të cilat më pas do të përdoreshin si justifikim për anulimin e procesit zgjedhor.
Megjithatë, në orën 21:30, rreth një orë e gjysmë pas mbylljes së vendvotimeve, Vuçiçi hoqi dorë nga kundërshtimi i rezultateve, ndërsa grupet e burrave të mbledhur në qendër të Beogradit u larguan.
Në Serbi qarkulluan edhe pretendime të pakonfirmuara se kryeministri hungarez, Viktor Orban, kishte ndikuar që Vuçiçi të mos ndërmerrte një veprim të tillë.
Vuleviq beson se presidenti serb ishte përballur me presion të fuqishëm nga jashtë dhe se kishte marrë telefonata nga përfaqësues të qeverive evropiane.
“Besoj se Vuçiçi mori telefonata nga qeveritë evropiane. Ishin biseda në nivelin më të lartë”, tha ai.
Zëdhënësja e Vuçiçit i tha The Times se prania e shtuar policore në Beograd ishte përgjigje ndaj kërcënimeve për dhunë nga demonstruesit dhe nuk kishte të bënte me ndonjë plan për të mbajtur pushtetin me forcë.
Ndërkohë, Goci tha se nuk mund ta përjashtonte mundësinë që zyrtarët evropianë të kishin ndërhyrë përmes telefonatave, por shtoi se rezultati zgjedhor ishte vendimtar.
“Numri i votave kundër tij ishte thjesht tepër i madh. Vuçiçi ishte plotësisht i befasuar”, përfundoi ai.