Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) do të mblidhet sot në orën 13:00, ku do të diskutohet për rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt dhe veprimet e Prokurorisë së Pejës lidhur me këtë rast.

Dukagjini ka mësuar se në këtë mbledhje do të shqyrtohet raporti i kryeprokurorit të shtetit për rastin, ndërsa në bazë të gjetjeve të tij do të vendoset për hapat e mëtejmë lidhur me kryeprokuroren e Prokurorisë në Pejë. Arlinda Zekaj u vra më 25 tetor rreth orës 21:00 në Vitomiricë të Pejës.

Më 22 tetor, vetëm tri ditë para vrasjes, Arlinda u ishte drejtuar institucioneve të drejtësisë, duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj.

Reklamë

“Uroj të mos vijë dita kur ju dhe institucionet përgjegjëse të detyroheni të jepni llogari vetëm pasi të jetë marrë jeta ime”, ishte paralajmërimi i saj.

Sipas Prokurorisë, Zekaj dyshohet se është vrarë me një mjet të fortë nga kunati i saj, Albert Sylaj.

Sylaj, u arrestua mbrëmjen e së martës në Deçan.

I dyshuari është lokalizuar dhe arrestuar rreth orës 23:40, pas një operacioni policor dhe bashkëpunimit me qytetarët.

“Pas angazhimeve intensive operative dhe hetimore, si dhe bashkëpunimit me qytetarët, është lokalizuar dhe arrestuar personi i dyshuar, Albert Sylaj, i cili ishte në kërkim lidhur me rastin “vrasje e rëndë” të ndodhur më 25 tetor 2026, në fshatin Vitomiricë të Pejës. Arrestimi është realizuar sonte, rreth orës 23:40, në Deçan, pas veprimeve të ndërmarra nga njësitet përkatëse policore”, ka njoftuar Policia e Kosovës.

Reklamë

Po të martën Gjykata Themelore në Pejë i ka caktuar një muaj paraburgim të pandehurit Jeton Sylaj, ish-bashkëshorti i Arlinda Zekajt, nën dyshimin për veprën penale “Mospërfillja e Gjykatës”.

Kërkesën për paraburgim e kishte bërë Prokuroria Themelore në Pejë.

Në njoftim të Prokurorisë thuhet se ai nuk i është bindur aktvendimit të Gjykatës së Pejës për qëndrim në distancë. Në kërkesë, Prokuroria ka bërë të ditur se Sylaj e ka kërcënuar viktimën e se ia ka hedhur rrobat nga rrobalarësja në oborr të shtëpisë.

“Sipas kërkesës, më 25 tetor 2026, rreth orës 17:58, në rrugën “Mon Dedushaj”, në fshatin Vitomiricë, Komuna e Pejës, i pandehuri dyshohet se nuk i është bindur pikës I të dispozitivit të aktvendimit të Gjykatës Themelore në Pejë, të datës 16 tetor 2026. Përkundër urdhrit të gjykatës që të mos ushtronte dhunë fizike apo psikike, të mos e pengonte lëvizjen e viktimës dhe të mos e ofendonte, shqetësonte apo kërcënonte atë, i pandehuri dyshohet se ka ushtruar sërish dhunë psikologjike ndaj bashkëshortes së tij, tani të ndjerës A.Z., duke iu drejtuar me fjalë kërcënuese. Gjithashtu, dyshohet se ka marrë rrobat e vendosura nga viktima në rrobalarëse dhe i ka hedhur në oborrin e shtëpisë. Me këto veprime, i pandehuri dyshohet se ka kryer veprën penale “Mospërfillja e gjykatës”, nga neni 393, paragrafi 1, i Kodit Penal të Republikës së Kosovës”, thuhet në njoftim.

Reklamë

Të mërkurën Kolektivi për Mendim dhe Veprim Feminist ka mbajtur protestë kombëtarenë Prishtinë, pas vrasjes së Arlinda Zekajt.

Mesazhi kryesor i protestës ishte: “Vrasja e grave të trajtohet si urgjencë kombëtare”.

Vrasja e Arlinda Zekajt ndodhi nëntë ditë pas vendimit gjyqësor që i kishte mundësuar kësaj të fundit kthimin në shtëpi, dhe tri ditë pas ankesës së saj në institucionet e drejtësisë.