Këngëtarja e njohur shqiptare dhe deputetja e Kuvendit të Kosovës, Edona Llalloshi, ka mbajtur një fjalim emocional gjatë seancës plenare të së enjtes, ku ka folur për vrasjen e Arlinda Zekajt, duke rikujtuar njëkohësisht një tragjedi të rëndë që kishte goditur familjen e saj vite më parë.
Interpretuesja e hitit “Pikë në zemër”, mes emocionesh dhe lotësh, ka rrëfyer se në vitin 2008 kushërira e saj, mjekja Igballe Llalloshi, ishte vrarë nga bashkëshorti, një ngjarje që, sipas saj, vazhdon të mbetet plagë e hapur për familjen edhe pas 18 vjetësh.
“Vrasja e Arlindës duhet të na shërbejë si pikë kthese, edhe në momentet kur, përtej dallimeve politike që mund të kemi, pozitë-opozitë, duhet të bashkohemi kundër atyre burrave që e kanë kthyer dhunën në një mjet sundimi: ‘O do të më nënshtrohesh, o do të vdesësh’”, u shpreh ajo para deputetëve.
Në një nga momentet më prekëse të fjalimit, Llalloshi solli në vëmendje historinë tragjike të familjes së saj.
“E kush, nëse jo unë, ka arsye të flasë për këtë plagë? Në vitin 2008, kushërira ime, mjekja e respektuar Igballe Llalloshi, u vra nga bashkëshorti i saj. Edhe pse kanë kaluar 18 vite, për ne dhimbja nuk është shuar kurrë”, deklaroi këngëtarja dhe deputetja.
Ajo theksoi se dhuna ndaj grave nuk mund të trajtohet vetëm përmes statistikave, pasi pas çdo viktime qëndrojnë familje të shkatërruara dhe fëmijë që bartin pasojat e tragjedive gjatë gjithë jetës.
“Që nga paslufta, më shumë se 80 gra janë vrarë në Kosovë. Pas secilit prej këtyre numrave qëndron një jetë e shuar, një familje e shkatërruar dhe fëmijë që mbeten me plagë për gjithë jetën. Dhe sot duhet ta shtrojmë një pyetje: Edhe sa gra duhet të humbin jetën që ne të reagojmë me seriozitet?”, tha Llalloshi.
Duke bërë thirrje për veprime konkrete institucionale, deputetja kërkoi që rasti i Arlindës të shërbejë si pikënisje për ndryshime të thella në sistemin e mbrojtjes sociale.
“Andaj, të mos presim një tjetër tragjedi. Koha është të veprojmë tani me vendosmëri dhe ta kthejmë dhimbjen në veprim dhe fjalën në përgjegjësi”, theksoi ajo.
Gjatë fjalimit, artistja ngriti shqetësime edhe për funksionimin e Qendrave për Punë Sociale në 38 komunat e Kosovës, duke vlerësuar se shumë prej tyre përballen me mungesë të stafit, kapaciteteve profesionale dhe kushteve të përshtatshme të punës.
Ajo vuri në pikëpyetje edhe decentralizimin e shërbimeve sociale, duke kërkuar një rishikim të mënyrës se si janë shpërndarë përgjegjësitë ndërmjet institucioneve qendrore dhe komunave.
“A ka qenë vendim i drejtë decentralizimi i shërbimeve sociale dhe bartja e përgjegjësive te komunat, pa garantuar kapacitetet dhe burimet e nevojshme?”, pyeti ajo.
Në përmbyllje, Llalloshi theksoi se përtej rasteve që marrin vëmendje publike, ekzistojnë edhe mijëra raste të dhunës që mbeten të heshtura dhe të padukshme.
“Rasti i fundit dhe mijëra raste të dhunës, të heshtura e të padukshme, që nuk arrijnë asnjëherë në vëmendjen e mediave apo në këtë sallë të Kuvendit, na kujtojnë se sistemi i shërbimeve sociale ka nevojë për reformim rrënjësor”, përfundoi deputetja.
Kujtojmë se Llalloshi edhe më herët e ka ngritur zërin kundër dhunës ndaj grave përmes muzikës. Në vitin 2009 ajo publikoi këngën “Thuaje me zë”, kushtuar kushërirës së saj të ndjerë, ndërsa më vonë solli edhe projektin “Deri kur”, me mesazh kundër vrasjes së grave.