Tani, më shumë se kurrë më parë, po e shohim se sa thelbësor janë zërat e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe zgjidhjen e konflikteve. Të rinjtë preken në mënyrë unike nga dhuna dhe konfliktet; prandaj, ata e meritojnë një vend në tryezë – mundësinë për të marrë pjesë në ndërtimin e një komuniteti që garanton liri, dinjitet dhe demokraci. Ndonëse shumë institucione dhe organizata janë duke shtyrë për përfshirjen e të rinjve në fushën e paqes dhe sigurisë, është e qartë se ka ende shumë punë për t’u bërë dhe boshllëqe të reja që duhen plotësuar.

Pjesëmarrja e të rinjve në ndërtimin e paqes dhe qeverisjen lokale mbetet thelbësore në Kosovë, veçanërisht në komunat ku të rinjtë kanë mundësi të kufizuara për të ndikuar në politikat lokale dhe proceset e planifikimit. Ndonëse agjenda “Rinia, Paqja dhe Siguria” (RPS) ofron një kornizë të rëndësishme për angazhimin e të rinjve, integrimi i saj praktik në nivel komunal mbetet i pabarabartë dhe kërkon mbështetje të mëtejshme.

Si rezultat, Zyra Lokale e RYCO-s në Prishtinë, në partneritet me Misionin e OSBE-së në Kosovë dhe Rrjetin e Alumneve të Akademisë së Dialogut (Dialogue Academy Network of Alumnae) ka nisur projektin “Lokalizimi i Agjendës ‘Rinia, Paqja dhe Siguria’ në Qeverisjen Rinore Komunale”. Fokusi kryesor janë pikërisht pyetjet se sa përfshihen të rinjtë në çështjet e paqes dhe sigurisë brenda komunave të tyre, dhe çka tjetër mund të bëjmë?

Reklamë

Në kuadër të këtij projekti, më 14 tetor në Prishtinë u mbajt një trajnim njëditor për përfaqësues komunalë. Qëllimi i këtij trajnimi ishte mbështetja e Drejtorëve/Drejtoreshave Komunale për rininë dhe Zyrtarëve/zyrtareve komunalë për rininë për të kuptuar më thellësisht rëndësinë e agjendës RPS dhe për ta përshtatur atë me planet dhe strategjitë e tyre lokale. Zyrtarët komunalë nga Mitrovica, Drenasi, Rahoveci, Istogu dhe Prishtina u mirëpritën me fjalime hyrëse nga znj. Krenare Gashi-Krasniqi, Udhëheqëse e Zyrës Lokale të RYCO-s në Prishtinë, dhe z. Ivan Vchkov, Zyrtar i Lartë i Programit në Misionin e OSBE-së në Kosovë.

Gjatë trajnimit, përfaqësuesit komunalë patën mundësinë të thellohen në shtyllat kryesore të agjendës RPS dhe të mësojnë se si t’i integrojnë ato në proceset vendimmarrëse lokale. Pas identifikimit të boshllëqeve specifike në secilën komunë, ata filluan hartimin e planeve për integrimin e agjendës RPS në nivel komunal. Këto plane do të finalizohen gjatë muajve në vijim dhe do të shërbejnë si kornizë për qeverisje lokale, duke mundësuar përfshirjen e agjendës RPS në veprimtarinë e tyre.

Pas trajnimit do të organizohen shtatë punëtori vijuese me aktivistë në komunat e Shtimes, Mitrovicës së Jugut, Drenasit, Rahovecit, Istogut, Prizrenit dhe Prishtinës. Këto punëtori synojnë t’u ofrojnë të rinjve hapësirë për të diskutuar se ku dhe si mund ta integrojnë komunat agjendën RPS në qeverisjen lokale, dhe si mund të kontribuojnë të rinjtë në këtë proces. Propozimet e tyre do t’u përcillen komunave, të cilat, gjatë muajve në vijim, do të përfitojnë mbështetje shtesë për finalizimin dhe zbatimin e planeve të tyre për integrimin e kësaj agjende.

Reklamë

Të rinjtë luajnë rol tejet të rëndësishëm në krijimin e një të tashme dhe të ardhme paqësore, që garanton të drejtat e njeriut për të gjithë. Shpeshherë, pjesëmarrja e tyre kërkon thjesht afrimin e disa ulëseve në tryezë dhe sigurimin që zëri i tyre të dëgjohet qartë e fuqishëm. Projekte si i yni synojnë pikërisht avancimin e proceseve të tilla, duke pasur parasysh se, kur bëhet fjalë për paqen dhe sigurinë, askush nuk mund ta bëjë këtë më mirë – dhe me më shumë shpresë – sesa të rinjtë.

Presim me padurim integrimin e agjendës “Rinia, Paqja dhe Siguria” në komunat e Prishtinës, Drenasit, Rahovecit, Istogut, Prizrenit, Shtimes dhe Mitrovicës së Jugut. Jemi tejet optimistë për rezultatet që do të arrihen dhe për bashkëpunimin me përfaqësuesit komunalë dhe të rinjtë.