Togeri i Policisë në rajonin e Pejës, Faruk Muqolli, nuk ka pranuar të prononcohet për audioincizimet e publikuara nga biseda e tij me tashmë të ndjerën Arlinda Zekaj, në zyrën e tij, ku ajo shprehte shqetësimet për sigurinë e vet dhe të djalit të saj.

Në audioincizime, Arlinda dëgjohet duke i shprehur policit shqetësimin për gjendjen e djalit dhe mungesën e veprimeve nga institucionet.

“U shkatërru shëndeti mendor i djalit tem, nuk keni vepru kurgjo”, dëgjohet duke i thënë ajo Muqollit.
Gjatë bisedës, Zekaj shpreh edhe frikën se mund të vritej, duke paralajmëruar se zyrtarët do të mbanin përgjegjësi.

Reklamë

RTV Dukagjini ka kontaktuar përmes telefonit Muqollin për të marrë një qëndrim lidhur me përmbajtjen e audioincizimeve.

Megjithatë, ai nuk iu është përgjigjur pyetjeve, duke thënë se ishte i zënë me punë dhe se gazetarja po e pengonte.

Ndër të tjera, Muqolli ka deklaruar se për këtë çështje duhet t’i drejtohen zyrës për informim, pasi, sipas tij, nuk ka të drejtë të prononcohet.