Këshilli Prokurorial i Kosovës (KPK) ka vendosur të suspendojë kryeprokuroren e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila ishte njëherësh koordinatore për rastet e dhunës në familje.

Në njoftimin e KPK-së bëhet e ditur se vendimi u mor të enjten, më 29 tetor, në një takim të jashtëzakonshëm të udhëhequr nga kryesuesi Arian Gashi.

Në këtë takim, Këshilli shqyrtoi kërkesën e Kryeprokurorit të Shtetit, Zejnullah Gashi, për fillimin e procedurës disiplinore ndaj dy prokuroreve.

Reklamë

“Pas shqyrtimit të kërkesës së autoritetit kompetent (Kryeprokurorit të Shtetit), Këshilli Prokurorial i Kosovës, vendosi të themelojë panel hetimor për trajtimin e rastit, si dhe miratoi propozimin për suspendimin e të dy subjekteve të hetimit, ndaj të cilave kërkohet zhvillimi i procedurës disiplinore”, thuhet në njoftimin e KPK-së.

Sipas Këshillit, vendimet janë marrë në bazë të të gjeturave nga raporti me numër reference 379/2026, të paraqitura në kërkesën për fillimin e hetimit disiplinor nga Zyra e Kryeprokurorit të Shtetit, që ndërlidhet me rastin e vrasjes së Arlinda Zekajt.

Në të njëjtin takim, KPK-ja vendosi që ushtruese e detyrës së kryeprokurorit në Prokurorinë Themelore në Pejë të caktohet Valbona Disha-Haxhosaj.

Këshilli ka theksuar se mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit të tij ligjor, garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial.

“KPK mbetet i përkushtuar në ushtrimin e mandatit të tij ligjor, garantimin e llogaridhënies dhe forcimin e integritetit të sistemit prokurorial, duke siguruar që të gjitha procedurat të zhvillohen në përputhje me legjislacionin në fuqi”, thuhet në njoftim.

Reklamë