Kuvendi i Kosovës ka miratuar në lexim të dytë Ligjin për Byronë e verifikimit dhe konfiskimit të pasurisë së pajustifikueshme.

Pro këtij ligji votuan 66 deputetë, asnjë nuk votoi kundër, ndërsa shtatë deputetë abstenuan.

Para votimit, deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Doarsa Kica-Xhelili, e cilësoi Byronë si një “monstrum politik”. Ajo tha se ndërmjet dy leximeve nuk janë bërë ndërhyrjet e nevojshme për ta bërë Byronë të drejtë.

Reklamë

“Sot kjo byro nuk është ajo që do t’i luftojë peshqit e mëdhenj. Ka dy rreziqe madhore, do të përdoret si shantazh politik, por do të pengojë ndjekjen penale të atyre që realisht kanë vjedhur”, ka thënë ajo.

Kritika ndaj ligjit pati edhe deputeti i Aleancës, Besnik Tahiri. Ai u shpreh se ligji, në formën aktuale, bie ndesh me Kushtetutën dhe ligjet në fuqi.

Kundërshtime ndaj këtij ligji kanë shprehur edhe organizata të shoqërisë civile, të cilat më herët kanë deklaruar se ai përmban shkelje.

Ndërkohë, opozita ka vlerësuar se projektligji për Byronë ende ka mangësi, ndërsa është ngritur edhe shqetësimi se ligji mund të përfundojë sërish në Gjykatën Kushtetuese.

Gjykata Kushtetuese e Kosovës ia kishte rrëzuar Qeverisë Kurti dy herë Ligjin për verifikimin dhe konfiskimin e pasurisë së pajustifikueshme, fillimisht në vitin 2024 dhe më pas në fillim të këtij viti.

Reklamë

Ky ligj synon që të gjithë zyrtarët publikë në Kosovë t’i nënshtrohen verifikimit të pasurisë, në rastet kur ka dyshime se ajo është fituar në mënyrë të kundërligjshme.