Inspektorati Policor i Kosovës (IPK) ka suspenduar 11 zyrtarë policorë në kuadër të zhvillimeve pas vrasjes së Arlinda Zekajt në Vitomiricë të Pejës.

Suspendimet lidhen me trajtimin e raportimeve të Arlinda Zekajt nga institucionet policore, para se ajo të vritej më 25 tetor.

Burime të Gazetës Online Reporteri.net bëjnë të ditur se masat përfshijnë zyrtarë të niveleve të ndryshme të strukturës policore në rajonin e Pejës, përfshirë drejtorin rajonal, Agron Hasanaj komandantin e Stacionit Policor në Pejë, Faik Jahmurataj dhe shefat e hetimeve, përfshirë edhe hetuesin Faruk Muqolli.

Reklamë

Në media është publikuar komunikimi mes Arlinda Zekajt dhe togerit të Policisë së Kosovës, Faruk Muçolli, në Stacionin Policor në Pejë, disa ditë para vrasjes së saj.

Në audio-incizimet e publikuara në media, Zekaj dëgjohet duke kërkuar zbatimin e vendimit për urdhërmbrojtje dhe duke shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe gjendjen e djalit.

“Faruk, unë jam lodhë, duhet me zbatu aktvendimin, kaq shumë e thjeshtë është”, dëgjohet duke i thënë ajo zyrtarit policor, i cili, sipas incizimit, i përgjigjet: “Edhe na jemi lodh”.

Në të njëjtën bisedë, Zekaj shpreh frikën për jetën e saj dhe kërkon që institucionet të veprojnë.

Vrasja e Arlinda Zekajt ka shkaktuar reagime të shumta në opinionin publik, veçanërisht pas raportimeve se ajo kishte kërkuar ndihmë dhe mbrojtje institucionale para se të vritej.

Reklamë

Më 22 tetor, tri ditë para vrasjes, Zekaj kishte paraqitur një shkresë në Prokurorinë Themelore në Pejë, në të cilën kishte shprehur shqetësimin për sigurinë e saj dhe kishte kërkuar ndërhyrje urgjente.

Këto zhvillime kanë nxitur kërkesa për hetim të plotë të rrethanave të rastit dhe për të përcaktuar nëse institucionet përgjegjëse i kanë trajtuar me seriozitet paralajmërimet dhe kërkesat e viktimës.

Në kuadër të këtyre zhvillimeve, Inspektorati Policor i Kosovës ka nisur veprimet hetimore për të verifikuar mënyrën se si zyrtarët policorë i kanë trajtuar raportimet e Arlinda Zekajt, përfshirë pranimin dhe regjistrimin e tyre, komunikimin me viktimën, kohën e reagimit dhe veprimet ose mosveprimet e mundshme të zyrtarëve.

Po ashtu, Këshilli Prokurorial i Kosovës ka suspenduar kryeprokuroren e Pejës, Lumturije Vuçetaj, dhe prokuroren Arlinda Nallbani-Gacaferri, e cila e kishte trajtuar rastin e Zekajt. Për të dyja janë iniciuar procedura disiplinore. Ushtruese e detyrës së kryeprokurores në Pejë është caktuar Valbona Disha-Haxhosaj.

Reklamë