Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, ka numëruar disa institucione përgjegjëse për vrasjen e Arlinda Zekajt, por ekzekutivin e ka konsideruar se nuk ka asnjë përgjegjësi lidhur me rastin. Në konferencën për media ku paraqiti raportin mbi rastin, ajo ka thënë se ky raport është vetëm pjesërisht i plotë duke u arsyetuar se ajo “nuk ka marrë përgjigje nga të gjitha institucionet përgjegjëse, nga disa nuk kemi marrë fare përgjigje”.
Përkundër të gjitha shkeljeve që ka thënë se janë evidentuar, Gërvalla ka theksuar se Ministria që e udhëheq nuk ka kompetencë të ndërhyjë. Ajo ka thënë se pret nga komisioni hetimor i themeluar nga Kuvendi që të kontribuojë në zbardhjen e veprimeve apo mosveprimeve institucionale.
“Ministria e Drejtësisë nuk ka kompetenca të ndërhyjë në punën e gjykatave dhe prokurorive, të kërkojë llogari të drejtpërdrejtë nga gjyqtarët dhe prokurorët për vendimmarrjen e tyre apo të zhvillojë hetime ndaj tyre. Po ashtu Ministri nuk ka kompetenca hetimore mbi veprimet e policisë. Këto kufizime burojnë nga ndarja e pushteteve”, është shprehur Gervalla.
Ajo ka deklaruar se institucionet që ajo ka vlerësuar se ishin përgjegjëse kishin marrë paralajmërime të përsëritura për jetën e Zekajt.
“Më 10 korrik Arlinda raportoi në polici dhunën fizike dhe psikike nga bashkëshorti. Raportoi kërcënimet, dorëzoi provat dhe informoi policinë se bashkëshorti posedonte armë me leje. Shqetësim ishte pamundësia për tu kthyer në shtëpinë e saj. Ajo raportonte se bashkëshorti dhe familjarë të tij e pengonin të hynte në pronën e saj. Më 7 shtator kërkoi urdhërmbrojte urgjente dhe i shkroi gjykatës se kishte frikë për jetës e saj dhe fëmijës së saj”.
Gërvalla ka thënë se nga dokumentacioni që u shqyrtua krijohet bindja se vrasja e Arlinda Zekajt “me shumë gjasë mund të ishte parandaluar”. Ajo gjithashtu ka ngritur pyetje për siç ka thënë ndikimet nga “qarqet politike e kriminale” në mosveprimet e vazhdueshme të institucioneve.
“Duhet të shqyrtohet edhe një pyetje tjetër, ‘A mund të shpjegohen të gjithë këto mosveprime vetëm me neglizhencë apo ka pasur edhe ndikime të jashtme përfshirë ndikime të mundshme nga qarqe politike apo kriminale’. Raporti nuk përmban prova të tilla për një ndikim të tillë, por përmasat dhe përsëritja e mosveprimeve e bëjnë të domosdoshëm shqyrtimin edhe të kësaj mundësie”, është shprehur Gërvalla.
Kur është pyetur për mundësinë e dorëheqjes Gërvalla ka kërkuar siç ka thënë, t’i lejojnë të bëjnë punën e tyre dhe të kujdesen që të vihen në pah, të identifikohen dhe të adresohen përgjegjësitë. Atëherë ka thënë se do të flasin sërish për dorëheqje, por ka shtuar se tani nuk është koha për dorëheqje.
“Por të konsideroja që dorëheqja do të ishte mekanizimi që do të kontribuonte për një identifikim më të saktë, më të shpejt dhe më të thellë të përgjegjësive për veprim dhe mosveprim, unë do të kisha dhënë dorëheqje, mendoj që është e kundërta”, ka thënë Gërvalla.