Bilal Kara, kryetar i Bordit Drejtues të Spitalit Europian i Syrit në Shkup, është nën hetim për dyshime për pastrim parash. Gjykata Penale e Shkupit ka vendosur t’ia konfiskojë pasaportën, t’ia ndalojë largimin nga Maqedonia e Veriut dhe ta detyrojë të paraqitet në gjykatë.
Vendimi është konfirmuar për gazetën maqedonase Sloboden Peçat nga Gjykata Penale e Shkupit, përcjell Reporteri.net.
Sipas raportimit, hetimet përfshijnë edhe Geriana Arapin, ish-drejtoreshë e kompanisë Sante Plus Group, e cila është pronare e Spitalit Europian i Syrit. Ajo dyshohet për mashtrim në detyrë. Masa kujdesi janë vendosur edhe ndaj Selma Ametit, drejtuese aktuale e një spitali gjinekologjik të grupit.
Dyshimet për keqpërdorime milionëshe
Ministria e Punëve të Brendshme e Maqedonisë së Veriut ka paraqitur kallëzim penal ndaj 11 personave dhe Spitalit Evropian të Syve për disa vepra të dyshuara penale, përfshirë keqpërdorimin e detyrës zyrtare, falsifikimin e dokumentacionit afarist, mashtrimin dhe pastrimin e parave.
Sipas policisë, dyshohet 4.25 milionë euro janë përfituar në mënyrë të kundërligjshme nga spitali gjatë periudhës 2022–2025. Gjithashtu, 1.7 milionë euro është dëmi i dyshuar ndaj Fondit të Sigurimit Shëndetësor, 3,000 deri në 4,000 pacientë dyshohet se janë dëmtuar përmes faturimit të dyfishtë të shërbimeve mjekësore.
Policia ka bërë të ditur se tetë persona janë ndaluar gjatë operacionit policor dhe janë sekuestruar rreth 50 mijë euro para të gatshme.
Sipas dyshimeve të autoriteteve, spitali kishte faturuar të njëjtat ndërhyrje kirurgjikale si te Fondi i Sigurimit Shëndetësor, ashtu edhe drejtpërdrejt te pacientët.
Hetime edhe në Shqipëri
Gazeta raporton se Bilal Kara dhe Geriana Arapi janë përmendur edhe në hetimet e autoriteteve shqiptare në kuadër të operacionit të vitit 2025, të koduar „Bilanci“, që lidhej me ish-spitalin privat Sante Plus Albania.
Sipas raportimeve të cituara, hetimet në Shqipëri kishin ngritur dyshime për fshehje fitimesh mbi një milion euro, shmangie tatimore dhe shkelje të tjera.
Në Maqedoninë e Veriut, hetimet kanë përfshirë edhe ish-drejtorin e Fondit të Sigurimit Shëndetësor, Den Donçev.
E rëndësishme: Bilal Kara dhe personat e tjerë të përmendur janë nën hetim ose subjekt i kallëzimeve penale. Masat e vendosura nga gjykata nuk përbëjnë vendim përfundimtar për fajësinë e tyre. /Reporteri.net