Kryeprokurorja e suspenduar e Prokurorisë Themelore në Pejë, Lumturije Vuçetaj, do të paguhet vetëm 50 për qind e pagës së saj deri në një vendim tjetër të Këshillit Prokurorial të Kosovës (KPK).
Kjo përcaktohet në vendimin e publikuar sot nga KPK-ja, i cili sqaron se suspendimi i Vuçetajt nga ushtrimi i detyrës zyrtare bëhet me kompensim prej gjysmës së pagës.
Vuçetaj ishte suspenduar në mbledhjen e djeshme të KPK-së, në kuadër të hetimeve disiplinore për trajtimin institucional të rastit të Arlinda Zekajt.
Kërkesa për hetime disiplinore është bazuar në raportin A.nr.379/2026, të hartuar nga Koordinatori për Dhunë në Familje në Zyrën e Kryeprokurorit të Shtetit.
Në arsyetimin e vendimit thuhet se Vuçetaj, gjatë kohës sa ishte në krye të Prokurorisë Themelore në Pejë, kishte pranuar kërkesa nga Arlinda Zekaj dhe ishte në dijeni për urgjencën e tyre, si dhe për rrezikun që i kanosej jetës së saj.
Sipas vlerësimit të autoritetit kompetent, ajo ishte në dijeni edhe për raportet e prokurorëve që kishin trajtuar rastet në të cilat Zekaj kishte qenë palë e dëmtuar, si dhe për raportet zyrtare të Policisë së Kosovës lidhur me nivelin e rrezikshmërisë ndaj saj.

