Katër persona janë arrestuar në Serbi nën dyshimin se kanë blerë vota për listën zgjedhore të Aleksandar Vuçiq gjatë zgjedhjeve parlamentare të mbajtura më 25 tetor.
Sipas një deklarate nga Prokuroria e Lartë Publike në Novi Sad, disa votues kanë marrë rreth 51 euro për votë, ndërsa tre nga të arrestuarit e kanë pranuar tashmë kryerjen e veprës penale.
Prokuroria njoftoi se K. A., K. B., T. J. dhe M. GJ. janë arrestuar nën dyshimin për dhënie dhe marrje ryshfeti në lidhje me votimin.
Hetimet po kryhen nga Departamenti Special për Shtypjen e Korrupsionit pranë Prokurorisë së Lartë Publike në Novi Sad.
Sipas hetimeve të deritanishme, K. A. ka marrë rreth 255 euro – e barabartë me 30,000 dinarë – nga M. GJ., me qëllim shpërndarjen e parave te votuesit. Nga kjo shumë, ai ka mbajtur rreth 51 euro për vete si shpërblim për votën për listën zgjedhore numër 1.
Bëhet fjalë për listën “Serbia e Bashkuar”, e cila udhëhiqej nga Partia Progresive Serbe (SNS) e ish-presidentit Aleksandar Vuçiq.
Prokuroria dyshon se dje, më 1 nëntor, K. A. u ka paguar rreth 51 euro secilit prej të dyshuarve K. B. dhe T. J., si shpërblim për votimin e tyre për të njëjtën listë në zgjedhje.
K. A., K. B. dhe T. J. janë ndaluar dhe marrë në pyetje në Departamentin Special për Shtypjen e Korrupsionit. Sipas deklaratës zyrtare, të gjithë ata e kanë pranuar plotësisht krimin për të cilin akuzohen.
I dyshuari i katërt, M. GJ., është ndaluar për një periudhë deri në 48 orë. Brenda kësaj kohe, ai do të dërgohet në prokurorinë përkatëse për t’u marrë në pyetje.
Arrestimet vijnë pak më shumë se një javë pas zgjedhjeve të jashtëzakonshme parlamentare në Serbi, në të cilat lista e Vuçiq humbi përballë listës së studentëve.