Gjykata Themelore në Gjilan ia ka caktuar një muaj paraburgim B. D., i dyshuar për vrasje të rëndë dhe mbajtje në pronësi, kontroll ose posedim të paautorizuar të armëve.

Sipas komunikatës së Gjykatës, B. D. dyshohet se më 1 nëntor 2026, në periudhën pas orës 00:27 e deri në orët e mëngjesit, në shtëpinë e tij në fshatin Demiraj të Gjilanit, pas një konflikti fizik, e ka privuar nga jeta djalin e tij, Adonis Demirin.

Në komunikatë thuhet se, para kësaj ngjarjeje, edhe foshnja D. D. ishte gjetur e pajetë në shtratin e babait të saj, tashmë të ndjerit Adonis Demiri. Sipas përshkrimit të Gjykatës, në trupin e foshnjës ishin vërejtur shenja dhune, ndërsa në shtrat edhe njolla gjaku.

Reklamë

Prokuroria dyshon se vdekja e foshnjës është shkaktuar nga babai i saj, Adonis Demiri. Kështu, sipas pretendimeve të paraqitura në kërkesën për paraburgim, nga veprimet e dyshuara janë privuar nga jeta dy anëtarë të së njëjtës familje.

Gjykata ka bërë të ditur se gjyqtari i procedurës paraprake ka vlerësuar se ekzistojnë arsyet ligjore për caktimin e paraburgimit. Sipas vendimit, nëse do të lihej i lirë, B. D. mund të ndikonte te dëshmitarët e tjerë, me qëllim të koordinimit dhe minimizimit të pasojave për veprimet e ndërmarra.

Palët kanë të drejtë ankese ndaj këtij vendimi në Gjykatën e Apelit të Kosovës.

Gazeta Online Reportei.net ka raportuar të dielën ekskluzivisht për ngjarjen e rëndp në Demiraj të Gjilanit.

Po ashtu Reporteri.net raportoi duke u thirrur në burime se dyshohet që 27-vjeçari fillimisht ka mbytur foshnjën e tij, ndërsa babai i tij ka ndërhyrë në përpjekje për ta mbrojtur mbesën. Gjatë përplasjes, sipas këtyre burimeve, dyshohet se ai e ka mbytur të birin.

Reklamë