Bashkimi Evropian ka përmendur edhe protestat në Shqipëri në raportin e publikuar të mërkurën, duke i cilësuar ato si mobilizimin më të madh qytetar në vend që nga tranzicioni demokratik.

Sipas raportit, protestat kanë nisur në maj të vitit 2026, fillimisht të nxitura nga shqetësimet mjedisore lidhur me punimet ndërtimore në peizazhin e mbrojtur të Pishë Poros – Nartës.

Megjithatë, ato më pas janë shndërruar në një lëvizje më të gjerë qytetare, me kërkesa për transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë.

Reklamë

“Që nga maji i vitit 2026, janë mbajtur protesta të përditshme. Protestat u nxitën nga shqetësimet mjedisore lidhur me punimet ndërtimore në peizazhin e mbrojtur të Pishë Poros – Nartës, por më pas u shndërruan në një lëvizje më të gjerë që kërkon transparencë, llogaridhënie, luftë kundër korrupsionit dhe qeverisje të mirë. Ky është mobilizimi më i madh qytetar në Shqipëri që nga tranzicioni demokratik i vendit, me dhjetëra mijëra pjesëmarrës që iu bashkuan protestës në kulmin e saj”, thuhet në raport.

BE-ja ka veçuar edhe protestat e tetorit 2026, të cilat u udhëhoqën nga studentët dhe gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit Shqiptar.

Sipas raportit, deri më tani nuk është zhvilluar dialog mes palëve, ndërsa Bashkimi Evropian u ka bërë thirrje të gjitha palëve që të angazhohen në një dialog konstruktiv.

“Duke u mbështetur në këtë lëvizje qytetare, në tetor të vitit 2026 u organizuan edhe protesta të udhëhequra nga studentët, gjatë të cilave pati incidente të dhunshme mes protestuesve dhe Policisë së Shtetit Shqiptar. Deri më tani nuk është zhvilluar asnjë dialog. Të gjitha palët duhet të bëjnë përpjekje të sinqerta për t’u angazhuar në një dialog konstruktiv”, thuhet në raport.