Ushtruesja e detyrës së kryetares së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Vlora Çitaku, ka pritur në takim ambasadorin e Mbretërisë së Bashkuar në Kosovë, Jonathan Hargreaves, me të cilin ka diskutuar për zhvillimet e fundit politike në vend, procesin gjyqësor në Hagë dhe perspektivën euroatlantike të Kosovës.

Sipas komunikatës së PDK-së, Çitaku e ka vlerësuar pozitivisht përmbylljen e procesit të formimit të institucioneve, duke theksuar se tashmë fokusi duhet të jetë në adresimin e sfidave me të cilat përballen qytetarët dhe avancimin e prioriteteve shtetërore.

“Kosova përballet me sfida të rëndësishme që kërkojnë vëmendje të plotë institucionale, përgjegjësi dhe angazhim për të përmirësuar jetën e qytetarëve”, citohet të ketë thënë Çitaku.

Reklamë

Një nga temat e diskutimit ishte edhe procesi gjyqësor në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë.

Me këtë rast, Çitaku ka theksuar rëndësinë e respektimit të standardeve më të larta të drejtësisë, të së drejtës për gjykim të drejtë dhe të vendimmarrjes së bazuar në fakte e prova, pa ndikime politike.

Në takim është riafirmuar edhe rëndësia e partneritetit të qëndrueshëm të Kosovës me aleatët e saj, si dhe përkushtimi për integrimin euroatlantik, përfshirë anëtarësimin në NATO dhe Bashkimin Evropian.