Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka pritur të enjten në takim ministrin e Punëve të Jashtme të Zvicrës dhe kryesuesin e Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE), Ignazio Cassis, së bashku me delegacionin që e shoqëronte.

Sipas njoftimit të Zyrës së Kryeministrit, Kurti e ka falënderuar Zvicrën për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës në zhvillim dhe demokratizim, si dhe për zgjatjen e mandatit të misionit Swisscoy dhe rritjen e tavanit të pjesëmarrjes së ushtarëve zviceranë në kuadër të KFOR-it.

Gjatë takimit, Kurti ka folur edhe për marrëdhëniet historike ndërmjet Kosovës dhe Zvicrës, duke theksuar rolin e mërgatës shqiptare dhe mikpritjen zvicerane në periudhat e vështira për shqiptarët e Kosovës.

Reklamë

“Mbi themelet e forta të lidhjes sonë me Zvicrën, që u vunë nga mërgata dhe mikpritja zvicerane në kohëra të vështira për shqiptarët e Kosovës, po ndërtojmë e avancojmë marrëdhëniet si Republikë, teksa po zgjerojmë bashkëpunimin, i cili me hyrjen në fuqi të EFTA-s muajin e kaluar shënon një kapitull të ri në tregtinë e lirë, përveçse të mallrave edhe shërbimeve”, ka thënë Kurti.

Në takim është diskutuar edhe për mundësitë e zgjerimit të bashkëpunimit ekonomik, si në nivel të qeverive, ashtu edhe ndërmjet bizneseve të të dyja vendeve.

Një tjetër temë ishte roli i Zvicrës në proceset integruese të Kosovës, si dhe angazhimi i Cassis në krye të OSBE-së për zbatimin e standardeve të barabarta në raportimin e kësaj organizate dhe përfaqësimin e Republikës së Kosovës në të.

Gjatë takimit, Cassis e ka ftuar Kurtin në Samitin e Dhjetë të Komunitetit Politik Evropian, që do të mbahet në Cyrih në prill të vitit 2027.

Ndërkaq, Kurti e ka ftuar ministrin zviceran për vizitë në Shtëpinë e Kosovës në Davos, në janar të vitit të ardhshëm.

Reklamë