Një valë alarmesh për bomba ka shkaktuar kaos në trafikun ajror në disa vende të Evropës, duke detyruar dhjetëra avionë të ndryshojnë itinerarin, të kryejnë ulje emergjente apo t’i nënshtrohen kontrolleve të imtësishme të sigurisë. Deri më tani, kërcënimet kanë rezultuar të rreme, pasi në asnjë prej avionëve të kontrolluar nuk janë gjetur mjete shpërthyese apo objekte të dyshimta.
Autoritetet po hetojnë për të zbuluar se kush fshihet pas këtyre kërcënimeve dhe nëse incidentet në vende të ndryshme kanë lidhje me njëri-tjetrin. Ekspertët dyshojnë se mund të bëhet fjalë për një fushatë të koordinuar, pasi vetëm gjatë katër ditëve të para të nëntorit janë regjistruar më shumë se 12 alarme të rreme, ndërsa mesatarja e zakonshme është rreth dy raste në muaj.
Një nga incidentet më të fundit ka përfshirë fluturimin Dublin–Romë të kompanisë Aer Lingus, i cili u detyrua të devijonte drejt Francës pas një kërcënimi për bombë. Avioni, një Airbus A320 me 151 pasagjerë dhe gjashtë anëtarë ekuipazhi, u ul në aeroportin ushtarak Évreux-Fauville, në Normandi, i shoqëruar nga një avion luftarak Rafale i Forcave Ajrore Franceze.
Pasagjerët u evakuuan dhe avioni iu nënshtrua kontrolleve nga ekipet e specializuara për çaktivizimin e bombave.
Sipas burimeve hetimore, alarmet për fluturimet Dublin–Romë dhe Helsinki–Romë u shkaktuan nga një email i vetëm, i shkruar në gjuhën italiane dhe i dërguar në adresat elektronike të kompanisë që administron aeroportin e Romës dhe të disa subjekteve të tjera. Në mesazh, dërguesit, të cilët e identifikonin veten si “Luftëtarët e Shtetit Mashkullor”, pretendonin se kishin vendosur bomba në dy avionët dhe kërcënonin se ato do të shpërthenin brenda 60 minutash. Në email përfshiheshin edhe mesazhe kërcënuese kundër asaj që autorët e quanin “regjimi feminist”.
Edhe një tjetër avion i kompanisë Finnair, i nisur nga Helsinki drejt Romës, u përfshi në alarm. Pas kontrolleve të kryera nga policia, avioni mbërriti normalisht në aeroportin Fiumicino, rreth orës 09:30. Kërcënim mori edhe fluturimi Helsinki–Vjenë. Kompania konfirmoi se të dyja rastet rezultuan të pabazuara dhe se pasagjerët zbritën pa probleme në destinacionet e tyre.
Probleme u regjistruan edhe për kompaninë Wizz Air. Një avion i nisur nga Milano Malpensa drejt Varshavës u detyrua të devijonte drejt Vjenës, pas marrjes së një kërcënimi për bombë gjatë fluturimit. Një tjetër avion i së njëjtës kompani, i nisur nga Milano drejt Bukureshtit, u ul në mënyrë të sigurt në kryeqytetin rumun. Në bord ndodheshin 182 pasagjerë dhe shtatë anëtarë ekuipazhi, të cilët u evakuuan përpara kontrolleve. As në këtë rast nuk u gjet asgjë e dyshimtë.
Alarme të tjera u raportuan në aeroportin e Milanos Malpensa, në dy avionë që po mbërrinin nga Selaniku dhe Porto. Të dy fluturimet iu nënshtruan kontrolleve të sigurisë nga policia, përfshirë verifikimin e pasagjerëve, bagazheve dhe ekuipazheve.
Kërcënimet janë përhapur edhe në vende të tjera. Policia çeke njoftoi se katër avionë që po udhëtonin drejt Pragës kishin marrë alarme për bomba. Edhe pse kërcënimet u vlerësuan me besueshmëri të ulët, autoritetet vendosën të kryenin kontrolle të plota pas uljes së avionëve.
Në Bullgari, tre avionë u përfshinë në alarme të ngjashme, duke aktivizuar masat e sigurisë në aeroportet e Sofjes dhe Plovdivit. Dy avionë që vinin nga Kopenhaga dhe Madridi u ulën në Sofje, ndërsa një tjetër nga Londra mbërriti në Plovdiv. Në këto raste u ngritën edhe avionët luftarakë MiG-29 të Forcave Ajrore Bullgare. Deri tani, as në këta avionë nuk është konstatuar ndonjë objekt i rrezikshëm.
Një tjetër kërcënim u raportua në një fluturim të kompanisë polake LOT nga Varshava drejt Brukselit. Pas kontrolleve në bord nuk u gjet asnjë objekt i dyshimtë. Një avion tjetër i kësaj kompanie, me destinacion Parisin, u ndal në pistën e aeroportit të Varshavës pas një njoftimi për praninë e mundshme të një objekti të rrezikshëm. Edhe në këtë rast kontrollet rezultuan negative.
Alarmet e fundit vijnë pas një tjetër vale kërcënimesh të regjistruara të martën, kur rreth dhjetë fluturime në Europë u përfshinë nga njoftime për bomba. Mes tyre kishte avionë të kompanive Ryanair, SAS, LOT dhe Wizz Air. Disa prej tyre u devijuan drejt aeroporteve të tjera, ndërsa në disa aeroporte u kryen kontrolle dhe u ndërprenë përkohësisht operacionet.
Ekspertët paralajmërojnë se shpeshtësia e këtyre incidenteve mund të jetë tregues i një operacioni të koordinuar për të shkaktuar panik dhe për të penguar funksionimin normal të transportit ajror. Këto zhvillime po shtojnë shqetësimin në Europë për të ashtuquajturat operacione hibride, ku përfshihen sabotazhet, sulmet kibernetike dhe forma të tjera ndërhyrjeje që synojnë të krijojnë pasiguri dhe destabilizim.