Ish-shefi i Stafit të Hashim Thaçit gjatë kohës sa ishte president, Bekim Çollaku, ka zbuluar detaje nga marrëveshja që ishte arritur me Gjykatën Speciale për mënyrën se si do të bëhej dorëzimi i Thaçit te EULEX-i, në nëntor të vitit 2020.

Çollaku ka treguar se ishte dakorduar që në momentin e largimit të Thaçit nga Presidenca të mos kishte prani të shtuar policore dhe që vetëm një veturë me targa civile, me një ose dy pjesëtarë të stafit të Gjykatës Speciale, t’i printe automjetit të presidentit.

“Po e zbuloj për herë të parë dakordimin me stafin e Gjykatës Speciale, që të ketë vetëm një makinë me targa civile, me një apo dy personel, staf të Gjykatës Speciale, të cilët kanë qenë të obliguar t’i paraprijnë makinës së presidentit Thaçi, ku është vetëdorëzuar presidenti Hashim Thaçi”, ka deklaruar Çollaku.

Reklamë

Ai ka theksuar se Thaçi nuk ishte arrestuar, por ishte dorëzuar vetë, sipas dakordimit të arritur paraprakisht.

Çollaku ka rrëfyer edhe për momentet kur ishte konfirmuar aktakuza ndaj Thaçit, duke treguar se kishin pasur informacione paraprake për këtë zhvillim, para se atë zyrtarisht t’ia komunikonte presidentit shefi i EULEX-it.

“Ne kemi pasur informacion që aktakuza ishte konfirmuar. E kemi pasur edhe unë edhe presidenti. Para se të vinte shefi i EULEX-it”, ka thënë ai.

Sipas Çollakut, mënyra se si ishte bërë publike aktakuza ua kishte bërë të qartë se përballja me drejtësinë në Hagë ishte tashmë e përgatitur.

“Kemi qenë të përgatitur që mund të ndodhte. Nga mënyra se si ishte bërë publike, nënkuptonte që tashmë gjithçka ishte përgatitur”, ka shtuar ai.

Reklamë

Ish-bashkëpunëtori i Thaçit ka përshkruar edhe ditën e 4 nëntorit 2020, kur ishte konfirmuar aktakuza, si dhe orët e fundit para nisjes së presidentit drejt Hagës, më 5 nëntor.

Ai ka treguar se kishte qëndruar deri në orët e para të mëngjesit në Presidencë, së bashku me Thaçin dhe Kadri Veselin, duke veçuar qetësinë me të cilën presidenti e kishte përballuar situatën.

“Kam qenë në zyrë deri në orët e para të mëngjesit të datës 5. Ishte e habitshme qetësia. Një përmbajtje absolute. Gjakftohtësi e ruajtje e racionalitetit në mendime për atë se si duhet ecur tutje”, ka rrëfyer Çollaku.

Ai ka thënë se largimi i Thaçit drejt Hagës ishte emocional për bashkëpunëtorët në Presidencë. Sipas tij, shumë prej tyre nuk arritën t’i përmbanin lotët, përfshirë edhe vetë atë, ndonëse kishte qarë jashtë pranisë së Thaçit.

Reklamë

Thaçi dha dorëheqje nga posti i presidentit pas konfirmimit të aktakuzës nga Dhomat e Specializuara, ndërsa më 5 nëntor 2020 u nis drejt Hagës për t’u përballur me akuzat.