Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka deklaruar se edhe dhjetë vjet pas vdekjes së Astrit Deharit në Qendrën e Paraburgimit në Prizren, ende nuk dihet kush e vrau atë dhe askush nuk është vënë para drejtësisë për këtë rast.
Në akademinë përkujtimore të mbajtur në nderim të Deharit, Kurti tha se ndaj tij ishte kryer krim që nga dita e arrestimit, më 29 gusht 2016, deri në vdekjen e tij më 5 nëntor të po atij viti.
Ai kritikoi procesin e hetimeve, duke theksuar se gjatë trajtimit të rastit janë ndërruar pesë prokurorë, ndërsa institucionet e sigurisë dhe drejtësisë, sipas tij, kishin nxituar të jepnin konstatime pa përfunduar hetimet.
“Mbi Astritin është kryer krim prej ditës kur është arrestuar e deri atëherë kur e vranë, këtu e 10 vjet më parë. Jemi tronditur të gjithë atë ditë kur e arrestuan Astritin, më 29 gusht të vitit 2016. Jemi tronditur të gjithë kur e akuzonin pa aktakuzë, kur e mbanin në burg pa e intervistuar, dhe jemi tronditur tepër shumë, kur na thanë se nuk do ta shohim më”, tha Kurti.
Ai theksoi se, pavarësisht kalimit të një dekade, ende nuk ka përgjegjësi penale për vdekjen e Deharit.
“Sot, dhjetë vjet më vonë ne ende nuk e dimë emrin e vrasësit, ndërkohë që pesë prokurorë janë ndërruar përgjatë rastit dhe qysh në orët e para pas mbytjes së tij u patën nxituar institucionet e sigurisë e drejtësisë të japin konstatime para hetimeve. Sot e asaj dite askush nuk është akuzuar, arrestuar, gjykuar e dënuar për rastin e Astrit Deharit”, deklaroi kryeministri.
Kurti tha se vendosja e drejtësisë për Deharin do të ishte një përpjekje për të korrigjuar padrejtësitë e pësuara nga shoqëria ndër vite.
“Nëse ne ia mbërrijmë ta vendosim drejtësinë për Astritin, ne do të kemi korrigjuar shumë humbje që ka pësuar populli ynë nëpër dekada, humbje në njerëzit më të mirë. Vonesa jonë si shoqëri e komb vjen nga fakti se më të mirët janë flijuar për ne, meqë në çdo formë cinike regjimi ka goditur në më të mirën”, u shpreh ai.
Në akademinë përkujtimore foli edhe Egzon Haliti, mik i Astrit Deharit, i cili kujtoi përkushtimin e tij ndaj njerëzve në nevojë, si dhe bindjet e tij politike e shoqërore.
Haliti tregoi se Dehari kishte pasur dëshirë që pas përfundimit të studimeve të mjekësisë të formonte një grup mjekësh vullnetarë, të cilët do të ofronin shërbime shëndetësore në fshatrat e thella dhe për familjet që kishin vështirësi në qasjen ndaj kujdesit mjekësor.
“Një nga dëshirat e tij, që ma ka përmendur disa herë, tregon më së miri se kush ishte ai në thelb. Ai planifikonte që pas diplomimit në mjekësi, të formonte një grup mjekësh vullnetarë dhe të bënte vizita sistematike, sidomos në fshatrat e thella, për t’u shërbyer njerëzve në nevojë dhe familjeve të varfra, që e kishin të vështirë qasjen në shërbimin mjekësor”, tha Haliti.
Ai e cilësoi Deharin si njeri solidar dhe të përkushtuar ndaj të tjerëve, ndërsa kërkoi që përpjekjet për zbardhjen e rastit të mos ndalen.
Në akademi foli edhe Rina Zhitia, bashkaktiviste e Deharit në Lëvizjen Vetëvendosje. Ajo kujtoi guximin dhe solidaritetin e tij gjatë përballjeve me atë që e cilësoi si dhunë të aparatit shtetëror.
Zhitia tha se Dehari kishte ditur t’u jepte kurajë bashkaktivistëve edhe në momentet më të vështira, duke i frymëzuar me guximin dhe humorin e tij.
“Astritin do ta kujtojmë gjithmonë me dashuri. E po me atë këmbëngulje do vazhdojmë të kërkojmë drejtësi për të”, tha ajo.
Në kuadër të aktiviteteve përkujtimore, sonte është paraparë ndezja e qirinjve te murali “Astrit Dehari”, si dhe mbajtja e natës përkujtimore me temën “Astriti në kujtimet e shokëve dhe shoqeve”.
Astrit Dehari, ish-aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje, vdiq më 5 nëntor 2016, në moshën 26-vjeçare, derisa mbahej në Qendrën e Paraburgimit në Prizren. Ai ishte në paraburgim nën dyshimet për përfshirje në sulmin ndaj ndërtesës së Kuvendit të Kosovës, në gusht të atij viti.
Vdekja e tij nxiti reagime dhe protesta, ndërsa rrethanat e saj vazhduan të jenë objekt hetimesh dhe kërkesash të vazhdueshme për zbardhjen e së vërtetës.
Ekspertiza fillestare e institucioneve vendore e kishte cilësuar vdekjen si pasojë të asfiksisë së shkaktuar nga vetë ai. Megjithatë, ekspertiza e mëvonshme e Institutit të Mjekësisë Ligjore në Lozanë të Zvicrës ngriti pikëpyetje mbi këtë përfundim, duke mos e përjashtuar mundësinë e përfshirjes së një personi tjetër.
Në vitin 2019, hetimet për vdekjen e Deharit u transferuan nga Prokuroria Themelore në Prizren në Prokurorinë Speciale të Kosovës. Familja Dehari ka kërkuar vazhdimisht zbardhjen e plotë të rrethanave të vdekjes së tij dhe vendosjen e përgjegjësisë për rastin.