Auditorja e Përgjithshme e Kosovës, Vlora Spanca, ka prezantuar në Kuvend raportin e auditimit vjetor për vitin 2025, ku ka evidentuar një sërë mangësish në menaxhimin dhe raportimin e financave publike.
Spanca bëri të ditur se, ndonëse në disa fusha janë shënuar përmirësime, vazhdojnë të jenë të pranishme probleme që kërkojnë ndërhyrje dhe përgjegjësi më të madhe institucionale.
Ajo njoftoi se Zyra Kombëtare e Auditimit i ka dhënë opinion të kualifikuar raportit vjetor financiar të Qeverisë për vitin 2025. Ky opinion nënkupton se raporti, në përgjithësi, paraqet një pamje të drejtë dhe të vërtetë të financave publike në të gjitha aspektet materiale, por janë identifikuar çështje që ndikojnë në saktësinë e disa zërave financiarë.
Sipas Spancës, çështjet kryesore që kanë ndikuar në këtë opinion lidhen me klasifikimin e shpenzimeve, pasuritë, llogaritë dhe detyrimet e raportuara.
Ajo tha se është evidentuar klasifikimi jo i duhur i shpenzimeve në vlerë prej 77.4 milionë eurosh. Prej kësaj shume, 58.5 milionë euro kanë të bëjnë me pagesat e realizuara në bazë të vendimeve gjyqësore nga kategori jo adekuate buxhetore, kryesisht për përmbushjen e detyrimeve që rrjedhin nga kontratat kolektive në nivel komunal.
Pjesa tjetër përfshin buxhetimin jo adekuat në vlerë prej 4.5 milionë eurosh dhe keqklasifikimet e bëra nga vetë organizatat buxhetore, në vlerë prej 14.4 milionë eurosh.
Një tjetër gjetje e auditimit është mbivlerësimi i pasurive në vlerë prej 33.5 milionë eurosh.
Po ashtu, janë identifikuar mangësi në raportimin e zërave të tjerë financiarë, përfshirë nënvlerësimin e llogarive të arkëtueshme në vlerë prej 4.4 milionë eurosh, mbivlerësimin e detyrimeve të papaguara prej 2.8 milionë eurosh, si dhe mbivlerësimin e detyrimeve dhe detyrimeve kontingjente në vlerë afro 30 milionë euro.
“Këto çështje tregojnë se pavarësisht arritjeve, nevojitet forcimi i kontrolleve të brendshme”, tha Spanca.
Sa i përket realizimit të buxhetit, auditorja bëri të ditur se të hyrat buxhetore gjatë vitit 2025 kanë arritur në mbi 3 miliardë e 512 milionë euro. Krahasuar me vitin 2024, ato janë rritur për rreth 9 për qind.
Edhe shpenzimet buxhetore kanë shënuar rritje prej 9 për qind. Nga buxheti final prej 3 miliardë e 848 milionë eurosh, janë realizuar 91 për qind e tij.
Spanca tha se kufiri ligjor i deficitit buxhetor është respektuar. Deficiti i planifikuar ishte 224 milionë euro, apo rreth 2 për qind e Bruto Produktit Vendor, ndërsa sipas realizimit përfundimtar të buxhetit, deficiti ishte rreth 7.8 milionë euro, apo 0.07 për qind e BPV-së.
Ndërkaq, borxhi shtetëror në fund të vitit 2025 arriti në 1.8 miliardë euro, duke shënuar rritje prej 80.4 milionë eurosh, apo 4.6 për qind, krahasuar me vitin paraprak.
Megjithatë, sipas Spancës, borxhi shtetëror përbënte 16.5 për qind të BPV-së, duke mbetur brenda kufirit ligjor prej 40 për qind.
Auditorja e Përgjithshme gjithashtu ngriti shqetësimin për vonesat në zbatimin e projekteve, të cilat, sipas saj, vijnë si pasojë e ndryshimeve të çmimeve në treg, por edhe të planifikimeve të dobëta.
Raporti i prezantuar në Kuvend përmban dy shtylla kryesore: auditimin vjetor financiar të Qeverisë për buxhetin e vitit 2025, me opinionin e auditimit, gjetjet dhe rekomandimet, si dhe rezultatet e auditimeve individuale të institucioneve publike.
Ndërkohë, para prezantimit të raportit, shefi i Grupit Parlamentar të PDK-së, Arian Tahiri, kërkoi që raportimi i Auditores së Përgjithshme të shtyhej për seancën e radhës, me arsyetimin se në Kuvend mungonin kryeministri dhe ministri i Financave. Kërkesa e tij nuk kaloi në votim.