Në një ceremoni solemne të mbajtur të premten në sallën “1 Tetori” në Prishtinë, kanë diplomuar 397 kadetë të gjeneratës së 63-të të Policisë së Kosovës, të cilët tashmë i bashkohen radhëve të këtij institucioni.
Në ceremoninë ku morën pjesë krerë institucionalë, drejtues të institucioneve të sigurisë, përfaqësues vendorë e ndërkombëtarë dhe familjarë të kadetëve, ushtruesi i detyrës së zëvendësdrejtorit të Përgjithshëm të Policisë së Kosovës, kolonel Fehmi Hoti, tha se diplomimi shënon jo vetëm përfundimin e një etape të përgatitjes profesionale, por edhe fillimin e një përgjegjësie të madhe në shërbim të qytetarëve.
Hoti vlerësoi përkushtimin, sakrificën dhe disiplinën e kadetëve gjatë procesit gjashtëmujor të përgatitjes, duke theksuar se diploma që kanë marrë është dëshmi e zotimit që kanë marrë përsipër.
“Sot nuk jemi mbledhur vetëm për të festuar një diplomim. Jemi mbledhur për të nderuar përkushtimin, sakrificën, disiplinën dhe vullnetin e një gjenerate që ka zgjedhur rrugë me përgjegjësi të madhe – rrugën e shërbimit ndaj qytetarit dhe vendit”, tha Hoti.
Ai u bëri thirrje kadetëve që uniformën e Policisë ta bartin gjithmonë me dinjitet, nder dhe krenari, duke ua kujtuar se ajo përfaqëson besimin e qytetarëve dhe autoritetin e ligjit.
“Uniforma që do të bartni nuk është thjesht një veshje zyrtare. Ajo përfaqëson besimin e qytetarëve, autoritetin e ligjit dhe përgjegjësinë për ta mbrojtur atë. Prandaj, mbajeni gjithmonë me dinjitet, nder dhe krenari”, u shpreh ai.
Kolonel Hoti theksoi se autoriteti i një polici nuk përcaktohet vetëm nga kompetencat që ia jep ligji, por edhe nga mënyra se si i trajton qytetarët dhe i kryen detyrat.
“Respekti fitohet përmes sjelljes, drejtësia dëshmohet përmes veprave dhe besimi ndërtohet përmes shërbimit”, tha Hoti.
Ai kërkoi nga pjesëtarët e rinj të Policisë që të jenë të vendosur kur kërkohet vendosmëri, por edhe të matur në veprimet e tyre, duke respektuar ligjin, të drejtat e njeriut dhe dinjitetin e secilit qytetar.
Hoti u rikujtoi kadetëve se në situata të rrezikut dhe vështirësive, qytetarët do të kërkojnë ndihmë pikërisht nga policët, prandaj profesioni që kanë zgjedhur është njëkohësisht detyrë, përgjegjësi, nder dhe krenari.
“Një fakt që duhet ta keni në mendje është se në çdo situatë kur qytetarët ndihen të rrezikuar, apo në situata të vështira, ju jeni të parët nga të cilët qytetarët do të kërkojnë ndihmë. Andaj, për këtë, profesioni që keni zgjedhur aq sa është detyrë dhe përgjegjësi, është edhe nder e krenari”, deklaroi ai.
Në fjalimin e tij, Hoti përmendi edhe sakrificën e pjesëtarëve të Policisë së Kosovës që kanë rënë në krye të detyrës, duke bërë të ditur se deri më tani ky institucion ka dhënë 26 dëshmorë.
“Shërbimi ndaj vendit po ashtu është edhe sakrificë. Deri më sot Policia e Kosovës i ka dhënë 26 dëshmorë, të cilët flijuan më të shtrenjtën e tyre në kryerje të detyrës. Lavdi e përjetshme heronjve të Kosovës!”, tha Hoti.
Ai falënderoi edhe familjarët e kadetëve, instruktorët dhe profesorët për mbështetjen dhe kontributin e tyre gjatë përgatitjes së gjeneratës së re.
Në fund të fjalimit, Hoti ua përcolli kadetëve tri mesazhe: të respektojnë ligjin, qytetarin dhe uniformën, duke theksuar se këto janë themelet e shërbimit policor.
Gjenerata e 63-të e Policisë së Kosovës përbëhet nga 397 kadetë, prej të cilëve 118 janë gra dhe 279 burra. Pas betimit zyrtar dhe shpërndarjes së certifikatave të diplomimit, ata nisin një kapitull të ri në shërbim të sigurisë publike dhe qytetarëve të Republikës së Kosovës.