Ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, në kuadër të Forumit Ministror BE–Ballkani Perëndimor për Drejtësi dhe Punë të Brendshme, ka takuar sot José de la Mata Amaya, zëvendëspresident i Agjencisë së Bashkimit Evropian për Bashkëpunim në Drejtësinë Penale Eurojust.

Gjatë takimit, ministrja Gërvalla ritheksoi përkushtimin për thellimin e bashkëpunimit me Eurojust dhe partnerët evropianë në luftën kundër krimit të organizuar.

“Lufta kundër krimit të organizuar kërkon institucione të forta, bashkërendim ndërkombëtar dhe vendosmëri të palëkundur për ta çuar drejtësinë deri në fund, pavarësisht kufijve dhe fuqisë së rrjeteve kriminale. Në një kohë kur krimi i organizuar, korrupsioni dhe rrjetet kriminale veprojnë përtej kufijve shtetërorë, bashkëpunimi i ngushtë me Eurojust është i domosdoshëm”, tha Gërvalla.

Reklamë

Ajo tha se bashkëpunimi i drejtpërdrejtë ndërmjet autoriteteve gjyqësore, janë mekanizma që forcojnë aftësinë e institucioneve për ta luftuar krimin.

“Asnjë shtet nuk duhet të bëhet strehë për kriminelët, asnjë kufi nuk duhet të shërbejë si mburojë ndaj ligjit dhe asnjë boshllëk në bashkëpunimin ndërkombëtar nuk duhet t’i japë hapësirë pandëshkueshmërisë”, përfundoi Gërvalla.