Dy persona kanë humbur jetën si pasojë e rrëzimit të një aeroplani të vogël sot në autostradën A2 në verilindje të Magdeburgut.
Avioni u rrëzua për arsye ende të panjohura dhe mori flakë. Ekipet e shpëtimit arritën të nxirrnin trupat e dy personave që ndodheshin në avion, njoftoi një zëdhënës i policisë në Magdeburg.
Sipas informacioneve të deritanishme, asnjë automjet tjetër në autostradën A2 nuk është përfshirë në ngjarje.
Autostrada A2, në drejtim të Hanoverit, u mbyll pas këtij incidenti dhe ende nuk dihet se sa do të zgjasë mbyllja.
A2 është një nga lidhjet më të rëndësishme lindje-perëndim në Gjermani, e cila shtrihet nga zona e Berlinit e deri në landin Nordrhein-Westfalen.