Ke ngrënë darkë, ndihesh i ngopur dhe mendon se nuk do të konsumosh më asgjë deri në mëngjes. Por vetëm gjysmë ore më vonë e gjen veten duke kërkuar diçka për të ngrënë në dollapin e kuzhinës. Një situatë e tillë është më e zakonshme nga sa mund të mendohet.

Sipas studimeve, rreth një e treta e njerëzve konsumojnë “snacks” çdo mbrëmje pas darkës. Për grupmoshën 18-24 vjeç, kjo shifër është edhe më e lartë, katër në pesë persona e kanë të vështirë t’i rezistojnë tundimit për të ngrënë diçka para gjumit.

Dietologia Dr. Kristine Beaulieu paralajmëron se ky zakon mund të ketë pasoja për shëndetin. Sipas saj, studimet tregojnë se sa më shumë ushqim të konsumohet gjatë dy orëve para gjumit, aq më të mëdha janë gjasat për shtim në peshë dhe obezitet.

Reklamë

Pse uria shtohet në mbrëmje?
Edhe pse gjatë gjumit kalojmë më shumë orë pa konsumuar ushqim, studimet tregojnë se oreksi ynë arrin natyrshëm kulmin në mbrëmje, pothuajse pavarësisht sasisë së ushqimit që kemi konsumuar gjatë ditës.

Profesori James Betts, studiues në Universitetin e Bath-it, shpjegon se një nga faktorët kryesorë është grelina, e njohur si “hormoni i urisë”, nivelet e së cilës priren të jenë më të larta në orët e vona.

“Edhe pse nivelet e tij priren të ulen pas vakteve, kjo ndodh kryesisht pas vaktit të parë të ditës dhe jo pas drekës apo darkës”, shpjegon ai.

Megjithatë, rëndësi ka edhe lloji i ushqimit që konsumojmë. Vaktet e pasura me proteina, fibra dhe me volum të mjaftueshëm na mbajnë të ngopur për më gjatë. Sipas Betts, nëse darka nuk është mjaftueshëm ushqyese ose nuk të ngop, më vonë mund të përjetosh një rënie të energjisë dhe të ndjesisë së ngopjes, duke kërkuar sërish ushqim.

Për disa persona, një tjetër arsye është frika se mos zgjohen të uritur gjatë natës, ndërsa për të tjerë gjithçka lidhet me zakonet e përditshme.

Reklamë

Profesoresha Suzanne Higgs, eksperte e oreksit në Universitetin e Birminghamit, shpjegon se përsëritja e të njëjtit veprim në të njëjtin ambient mund të nxisë dëshirën për të ngrënë. Për shembull, nëse dikush është mësuar të konsumojë ushqime të lehta ndërsa shikon televizor, mjafton të ndezë televizorin që t’i lindë dëshira për të ngrënë.

Pse tundohemi për ëmbëlsira më shumë në mbrëmje?
Nuk është vetëm ndjesia e urisë që shtohet në orët e vona. Studimet sugjerojnë se në këtë periudhë rritet edhe dëshira për ushqime me shumë kalori, për shkak të sistemit të shpërblimit në tru dhe jo domosdoshmërisht sepse organizmi ka nevojë për më shumë energji.

“Dëshira dhe kënaqësia që marrim nga ushqimet me përmbajtje të lartë yndyre janë më të mëdha në orët e vona të ditës, krahasuar me ushqimet me pak yndyrë”, shpjegon Beaulieu, e cila punon mes Universitetit të Leedsit dhe Universitetit të Monctonit në Kanada.

Sipas saj, kjo dëshirë për kënaqësi mund të mbizotërojë mbi sinjalet e ngopjes, duke na shtyrë të konsumojmë “snacks”ose ëmbëlsira edhe kur nuk kemi më uri. Kjo shpjegon pse, edhe pas një darke të bollshme, mund të ndiejmë sërish dëshirën për biskota, çokollata apo ushqime të kripura.

Reklamë

A ndikon ngrënia para gjumit te cilësia e gjumit?
Studimet nuk kanë arritur ende në një përfundim të qartë, por dihet se konsumimi i vakteve të mëdha në orët e vona mund të vështirësojë tretjen dhe të ndërhyjë në përgatitjen natyrale të organizmit për gjumë.

Sa u përket ushqimeve të lehta, rezultatet janë më pak të qarta. Disa studime sugjerojnë se ushqimet e pasura me karbohidrate të rafinuara dhe sheqerna të shtuara, si buka e bardhë, orizi i bardhë, biskotat dhe ëmbëlsirat, mund të lidhen me cilësi më të dobët të gjumit.

Megjithatë, është e vështirë të përcaktohet nëse ushqimi ndikon te gjumi apo nëse mungesa e gjumit shton dëshirën për të ngrënë.

Si të konsumosh ushqime “të lehta” në mënyrë më të shëndetshme?
Hapi i parë është të kuptosh se çfarë e shkakton dëshirën për të ngrënë. Nëse ke vërtet uri, mund të ndihmojë konsumimi i vakteve më të plota dhe ushqyese gjatë ditës. Nëse bëhet fjalë për një zakon, ndryshimi i rutinës dhe planifikimi paraprak i ushqimeve mund të jenë zgjidhje të dobishme.

Reklamë

Profesoresha Higgs paralajmëron se ngrënia pa vëmendje, për shembull gjatë shikimit të televizorit, mund të na bëjë të konsumojmë më shumë, pasi nuk e kuptojmë sa kemi ngrënë.

Megjithatë, sipas dietologes Beaulieu, nuk është e nevojshme të heqim dorë plotësisht nga ushqimet që dëshirojmë në mbrëmje. Një porcion i arsyeshëm i diçkaje që na pëlqen mund të jetë një zgjidhje më e qëndrueshme sesa ndalimi i plotë i tyre.

Ajo këshillon që në shtëpi të mbahen alternativa më të shëndetshme, si frutat, kosi dhe arrat. Edhe konsumimi i një sasie të vogël çokollate herë pas here nuk përbën problem.

“Është në rregull të konsumosh herë pas here, në mënyrë të moderuar, ushqimet që dëshiron. Nëse ushqimet për të cilat ke dëshirë nuk i mban rregullisht në dollap, ndërsa ke gjithmonë alternativa të shëndetshme, ka më shumë gjasa të zgjedhësh pikërisht këto të fundit”, thekson ajo.

Reklamë

Sekreti, sipas ekspertes, është që zgjedhjet e shëndetshme të jenë gjithmonë më të lehtat për t’u bërë.