Baltë, terren i paasfaltuar dhe vështirë i kalueshëm, mes pyjeve.
Kështu duket një nga rrugët alternative në veri të Kosovës, përmes së cilës mund të kalohet ilegalisht nga Kosova në Serbi dhe anasjelltas.
Sipas të dhënave të Policisë së Kosovës, aktualisht janë të kalueshme dhjetëra rrugë të tilla, të cilat përdoren kryesisht për kontrabandimin e mallrave.
Materiale ndërtimore, produkte ushqimore, si pije, fruta, perime e mish, cigare, veshmbathje, stoli, parfume, pajisje elektrike dhe produkte farmaceutike hyjnë në Kosovë përmes këtyre rrugëve, duke shmangur pikat zyrtare kufitare dhe doganën.
Aksioni i fundit i madh i institucioneve të Kosovës kundër kontrabandës së mallrave u zhvillua më 22 tetor, në disa lokacione në veri të Kosovës.
Gjatë tij, dhjetë persona u shoqëruan për intervistim, ndërsa u sekuestruan mallra në vlerë prej mbi 200 mijë eurosh.
Dhjetëra rrugë alternative mes Kosovës dhe Serbisë: Kush i kontrollon?
Kjo konfirmohet edhe në aktakuzën për këtë rast.
Përgjegjësinë për sulmin e mori Millan Radoiçiq, ish-nënkryetar i Listës Serbe, partisë së serbëve të Kosovës që ka lidhje të ngushta me ish-pushtetin në Serbi.
Pas sulmit, Policia e Kosovës kishte deklaruar se kishte mbyllur më shumë se 20 rrugë alternative që lidhin Kosovën me Serbinë.
Por, më shumë se tre vjet pas sulmit në Banjskë, në veri të Kosovës vazhdojnë të jenë të kalueshme së paku 64 rrugë ilegale, që çojnë drejt vendbanimeve kufitare në Serbi, në zonat e Novi Pazarit dhe Rashkës.
Këtë e konfirmon Veton Elshani, ish-zëvendësdrejtor i Policisë së Kosovës për rajonin e veriut, i cili tani drejton Policinë Kufitare.
Sipas tij, është e pamundur të mbyllen të gjitha këto rrugë, pasi vazhdimisht hapen të reja.
Kjo ngre pyetjen se çfarë ka ndryshuar konkretisht në terren pas sulmit në Banjskë, sa i përket përdorimit të rrugëve alternative që shmangin pikat zyrtare kufitare.
“Nuk mund të ndërtojmë një mur kinez në kufirin me Serbinë”, thotë Elshani, duke shpjeguar përse institucionet përgjegjëse të sigurisë nuk arrijnë t’i mbyllin këto rrugë.
Përveçse u përdorën për sulmin në Banjskë, këto rrugë shërbyen edhe për tërheqjen e grupit të armatosur prej rreth 45 personash.
Shumica e tyre, përfshirë Radoiçiqin, vazhdojnë të jenë në liri.
Deri më tani, drejtësia e Kosovës ka dënuar tre serbë lidhur me këtë rast.
Dy prej tyre, Vlladimir Tolliq dhe Bllagoje Spasojeviq, u arrestuan gjatë sulmit në Banjskë, ndërsa i treti, Dushan Maksimoviq, u arrestua më vonë.
Sipas raportit të Policisë së Kosovës për vlerësimin e kërcënimit nga krimi i organizuar, të vitit 2025, rrugë alternative ose ilegale që përdoren për kontrabandë ekzistojnë edhe pranë kufijve me Maqedoninë e Veriut, Malin e Zi dhe Shqipërinë.
Megjithatë, raporti thekson se zona kufitare në veri të Kosovës ka qenë gjithmonë problematike sa i përket kontrabandës.
Përveç mallrave, përmes saj janë kontrabanduar edhe armë e drogë, si dhe është zhvilluar trafikim i qenieve njerëzore.
Sidoqoftë, sipas raportit, këto forma të kontrabandës janë më të kufizuara krahasuar me vitet e mëparshme.
Mentor Vrajolli, nga Qendra Kosovare për Studime të Sigurisë, vlerëson se rrugët alternative që çojnë drejt kalimeve ilegale kufitare me Serbinë duhet të mbyllen, duke pasur parasysh përpjekjet e mëparshme për destabilizim.
Sipas tij, mbyllja e tyre është jashtëzakonisht e rëndësishme për sigurinë e Kosovës.
“Këtu nevojitet bashkëpunim, ndër të tjera, edhe me KFOR-in, pasi Policia e Kosovës mund të mos ketë kapacitete të mjaftueshme për t’i mbyllur të gjitha këto rrugë. Prandaj, edhe KFOR-i duhet të ofrojë ndihmë dhe ndoshta duhet të kërkohet mbështetje edhe nga institucionet e tjera të sigurisë në Kosovë”, thotë ai.
Kush i kontrollon rrugët alternative?
Policia e Kosovës thotë se rrugët alternative në veri të Kosovës “identifikohen dhe vlerësohen vazhdimisht”.
Kosova dhe Serbia kanë një vijë kufitare rreth 350 kilometra të gjatë, mbi 60 për qind e së cilës shtrihet në komunat veriore të Kosovës, ku shumica e popullsisë është serbe.
“Mbyllja e tyre kërkon masa fizike dhe operative, ndërsa ndryshimet në terren dhe hapja e rrugëve të reja e bëjnë të domosdoshme mbikëqyrjen e vazhdueshme”, thotë Policia.
Sipas saj, Policia Kufitare dhe KFOR-i, i cili është përgjegjës për sigurinë e kufirit të Kosovës me Serbinë, bashkëpunojnë dhe koordinojnë aktivitetet në terren, në përputhje me mandatet dhe përgjegjësitë e tyre.
KFOR-i thotë se është në dijeni të ekzistencës së rrugëve alternative në zonat pranë vijës kufitare, por thekson se vetëm fakti që një rrugë ekziston ose është e kalueshme nuk do të thotë se ajo përdoret për veprimtari të paligjshme.
“Policia e Kosovës ka përgjegjësinë kryesore për zbatimin e ligjit dhe hetimin e aktiviteteve të dyshuara kriminale. KFOR-i e monitoron situatën e sigurisë përmes një sërë aktivitetesh dhe bashkëpunon ngushtë me institucionet përkatëse të sigurisë”, thuhet në përgjigje.
KFOR-i thekson, gjithashtu, se misioni i tij mbështetet në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara.
Pengesa betoni në vend të kalimeve kufitare
Pengesat prej betoni, të cilat autoritetet e Kosovës nisën t’i vendosnin në kalimet ilegale kufitare pas sulmit në Banjskë, mund të shihen edhe sot në urën mbi Liqenin e Ujmanit, në Bërnjak të Zubin Potokut.
Kjo urë ndodhet në vijën kufitare mes Kosovës dhe Serbisë, por nuk është pikë zyrtare e kalimit kufitar.
Policia e Kosovës i lejon automjetet të kalojnë aty, duke anashkaluar pengesat, por nën kontroll të shtuar.
Një banor i zonës, i cili pranoi të fliste në kushte anonimiteti, kundërshton mbylljen e rrugëve alternative drejt Serbisë, pasi, sipas tij, një gjë e tillë ua vështirëson lëvizjen banorëve.
Ai shpjegon se banorët nuk janë kundër luftimit të kontrabandës, por kontrollet e shtuara policore u shkaktojnë frikë, pasi nuk kanë besim të mjaftueshëm tek autoritetet e Kosovës.
“Këtu askush nuk merret me kontrabandë apo me ndonjë veprimtari të paligjshme. Kanë mbetur njerëz të moshuar, të pafuqishëm dhe pak fëmijë në shkollë. Kur vjen policia, fëmijët frikësohen, sepse ka pasur kontrolle dhe arrestime. Njerëzit janë shumë të frikësuar”, thotë ai.
Ai, personalisht, nuk ka ankesa për sjelljen e policisë, por shpreson që pengesat prej betonit të hiqen nga ura në Bërnjak.
Elshani thekson se pikërisht në këtë urë i kishte anashkaluar pengesat edhe një kamion që u kap gjatë një aksioni kundër kontrabandës.
Ai thotë se mallrat e kontrabanduara nuk mbeten vetëm në veri të Kosovës, por shpërndahen edhe në tregjet në jug të lumit Ibër.
Prokuroria Themelore në Mitrovicë thotë se nga janari i vitit 2024 deri në tetor të vitit 2026 ka trajtuar gjithsej 106 raste të kontrabandës së mallrave.
Prej tyre, 81 raste kanë marrë një epilog: në dy janë pushuar hetimet, ndërsa në të gjitha rastet e tjera janë ngritur aktakuza.
Prokuroria Speciale e Kosovës nuk ka dhënë përgjigje nëse është identifikuar ndonjë grup apo rrjet i organizuar kriminal që merret me kontrabandë përmes rrugëve në veri të vendit.
Si është situata e sigurisë pas sulmit në Banjskë?
Misioni i KFOR-it vlerëson se situata e përgjithshme e sigurisë në Kosovë është përmirësuar që nga sulmi i armatosur në Banjskë, në vitin 2023.
Si rezultat i këtij përmirësimi, KFOR-i ka paralajmëruar nisjen e procesit të riorganizimit të pranisë së forcave të tij.
“Qëllimi i këtij procesi është të sigurojë që KFOR-i të mbetet i përgatitur siç duhet për përmbushjen e detyrave të tij. Procesi është në vazhdim dhe po zbatohet gradualisht e me kujdes. Ai bazohet në kushtet në terren dhe mund të rishikohet ose të anulohet nëse zhvillimet e sigurisë e arsyetojnë një gjë të tillë, veçanërisht nëse ato mund të ndikojnë negativisht në sigurinë afatgjatë të Kosovës dhe në stabilitetin rajonal”, thuhet në përgjigjen e KFOR-it.
Megjithatë, KFOR-i thekson se situata në veri të Kosovës dhe në zonat pranë pikave kufitare me Serbinë vazhdon të jetë pjesë e rëndësishme e vlerësimeve të tij për sigurinë.
Për këtë arsye, misioni zhvillon rregullisht patrullime, vendos pika kontrolli dhe mban dialog me të gjitha komunitetet lokale.
Duke komentuar konkretisht ekzistencën e rrugëve alternative, KFOR-i thotë se “çdo vlerësim i ndryshimeve në rreziqet që lidhen me to duhet të bazohet në informacione të verifikuara”.
“KFOR-i e vlerëson vazhdimisht situatën e sigurisë dhe koordinohet me Policinë e Kosovës dhe EULEX-in. Ne ruajmë kapacitetet, gatishmërinë dhe fleksibilitetin e nevojshëm për t’iu përgjigjur kërcënimeve të mundshme”, thekson misioni.
A ka Policia e Kosovës kapacitete për t’i kontrolluar kalimet ilegale kufitare?
Eksperti i sigurisë, Mentor Vrajolli, vlerëson se kalimet ilegale kufitare dhe rrugët alternative paraqesin rrezik për destabilizimin e sërishëm të Kosovës.
“Prandaj, këto rrugë duhet të mbyllen – para së gjithash për të parandaluar kontrabandimin e armëve”, thotë ai.
Sipas Vrajollit, para largimit të serbëve nga institucionet e Kosovës në vitin 2022, policia në veri ishte “më besnike ndaj bandave kriminale dhe strukturave paralele të Serbisë”.
Për pasojë, thotë ai, parandalimit të veprimtarive të paligjshme nuk i ishte kushtuar vëmendja e duhur.
“Tani ka një nivel më të lartë përgjegjësie të policisë në këtë pjesë të vendit. Gjithashtu, gjatë punësimit të policëve të rinj, kujdes i kushtohet besnikërisë së tyre ndaj institucioneve, sepse ata duhet të jenë besnikë ndaj qytetarëve, sigurinë e të cilëve e garantojnë”, thotë ai.
Qëndrim të ngjashëm ka edhe Elshani nga Policia e Kosovës.
“Banjska është rast i veçantë. Ndodhi sepse nuk kishte kush t’i ndalte”, thotë ai.
Vrajolli vlerëson se rreziku për sigurinë që paraqesin rrugët alternative në veri të Kosovës mund të eliminohet nëse normalizohen marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë.
“Për këtë nevojitet udhëheqje në Serbi”, thotë ai.
Sipas vlerësimit të tij, Kosova ka bërë shumë për uljen e tensioneve. Megjithatë, ai thotë se pjesëtarët e komunitetit serb vazhdojnë të refuzojnë integrimin dhe pranimin e institucioneve të Kosovës, për shkak të presionit nga Beogradi zyrtar./ Radio Evropa e Lirë/


