Presidentja e Kosovës, Justina Shiroka-Pula, ka larguar nga vendi i nderit në Presidencë Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, ndërsa në vend të saj ka vendosur një punim filigrani.
Në fotografitë e fundit, në hapësirën ku deri më tani qëndronte e ekspozuar Deklarata e Pavarësisë, shihet i vendosur punimi i filigranit.
Lidhur me këtë veprim ka reaguar Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), e cila e ka quajtur të papranueshëm vendimin e presidentes për largimin e Deklaratës së Pavarësisë dhe fotografisë së presidentit historik Ibrahim Rugova nga hapësirat e Presidencës.
Deri në postimin e së premtes Deklarata e Pavarësisë ndodhej aty.
Përmes një reagimi zyrtar në rrjetet sociale, kjo parti ka thënë se Presidenca është institucion shtetëror ku nderohen themeluesit e shtetit dhe aktet mbi të cilat është ndërtuar Republika e Kosovës.
“Fotografia e Atit Themelues të Republikës së Kosovës dhe Deklarata e Pavarësisë kanë domethënie historike e shtetërore. Trajtimi i tyre si elemente dekorative që mund të zëvendësohen me vepra arti është i gabuar dhe i papranueshëm”, thuhet në reagimin e LDK-së.
Sipas kësaj partie, presidenti Ibrahim Rugova përfaqëson udhëheqjen historike të përpjekjes së Kosovës për liri, pavarësi dhe demokraci, ndërsa Deklarata e Pavarësisë shpreh vullnetin e popullit për shtet të pavarur dhe sovran.
LDK-ja vlerëson se largimi i këtyre dy simboleve cenon respektin institucional ndaj historisë dhe identitetit shtetëror të Kosovës.
Në reagim thuhet se përgjegjësia e Presidencës është të ruajë vazhdimësinë e shtetit dhe të nderojë trashëgiminë e tij, pavarësisht ndërrimit të presidentëve.
Për këtë arsye, LDK-ja i ka kërkuar presidentes Shiroka-Pula që ta rishikojë vendimin dhe të rikthejë fotografinë e Ibrahim Rugovës dhe Deklaratën e Pavarësisë në vendet e tyre të nderit në Presidencë.
“Një veprim i tillë do të dëshmonte respektin që institucioni i Presidentit duhet të ketë ndaj themeleve të Republikës që përfaqëson”, thuhet në reagim.
Filigrani i vendosur në sallën e takimeve të Presidencës lidhet edhe me trashëgiminë familjare të presidentes Justina Shiroka-Pula. Babai i saj, Simon Shiroka (1927–1994), ishte një nga mjeshtrit më të njohur të filigranit në Kosovë. Artisti prizrenas e zhvilloi këtë zeje tradicionale në një formë të artit pamor, ndërsa veprat e tij janë ekspozuar në Kosovë dhe jashtë saj. Presidentja është angazhuar ndër vite në ruajtjen dhe promovimin e krijimtarisë së të atit.

