Një pianist, i cili ra në det nga anija turistike “Ovation of the Seas” e kompanisë Royal Caribbean, u shpëtua të premten e kaluar nga dy peshkatarë që po ktheheshin nga një ekspeditë peshkimi pranë ishullit Santa Catalina, i cili ndodhet rreth tridhjetë kilometra larg bregdetit të Los Anxhelosit, në Kaliforni, pasi kaloi të paktën nëntë orë në ujërat e Paqësorit, shkruan Corriere Della Sera.
“Ai është gjallë vetëm sepse, këtë vit për shkak të ngrohjes së oqeanit të shkaktuar nga fenomeni ‘El Niño’ temperatura e ujit është 24 gradë Celsius,”, tha për CBS Sean Norton, njëri nga dy peshkatarët që së bashku me një tjetër e nxorën 37-vjeçarin nga uji.
“Në çdo vit tjetër, ai nuk do t’ia kishte dalë dot.”
Operacionet e kërkimit dhe privatësia
Pasi e nxorën nga uji, dy peshkatarët dhanë një sinjal për ndihmë dhe një ekip shpëtimtarësh nga Newport Beach mbërriti për të ofruar asistencë.
Pianisti ende nuk është identifikuar; Royal Caribbean ka përmendur çështje që lidhen me privatësinë, duke deklaruar se është duke u zhvilluar një hetim i brendshëm për të përcaktuar se si burri i cili aktualisht ndodhet në spital përfundoi në det dhe, ç’është më e rëndësishmja, pse askush nuk e vuri re apo nuk dha alarmin.
Anija ishte nisur nga Long Beach dhe kishte si destinacion Ensenadën, në Meksikë.