Ndotja e ajrit vazhdon të mbetet një nga sfidat kryesore për shëndetin publik në Kosovë. Gjatë vitit 2025 janë regjistruar 171 ditë me tejkalim të vlerave kufitare ditore të grimcave ndotëse PM10 në rrjetin shtetëror të monitorimit.
Kështu thuhet në raportin e publikuar të martën nga Avokati i Popullit, i cili ka shqyrtuar cilësinë e ajrit në Kosovë nga perspektiva e të drejtave të njeriut.
Sipas raportit, të dhënat e Agjencisë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës (AMMK) tregojnë se ndotja ka qenë më e përqendruar gjatë sezonit dimëror.
Ndërkohë, Instituti Kombëtar i Shëndetësisë Publike të Kosovës (IKShPK) ka vlerësuar se ekspozimi ndaj ajrit të ndotur lidhet me rritjen e rrezikut për sëmundje të frymëmarrjes dhe ato kardiovaskulare.
Më të rrezikuarit nga pasojat e ndotjes janë fëmijët, të moshuarit dhe personat që vuajnë nga sëmundjet kronike.
Në raportin Ex officio nr. 251/2023, Avokati i Popullit ka evidentuar edhe mangësi në zbatimin e legjislacionit, mungesë të kapaciteteve njerëzore dhe teknike për inspektim, si dhe nevojën për koordinim më të mirë ndërmjet institucioneve përgjegjëse.
Institucioni ka theksuar se autoritetet shtetërore kanë detyrime për të ndërmarrë masa parandaluese dhe efektive për mbrojtjen e qytetarëve nga pasojat e ndotjes.
Duke iu referuar standardeve të Gjykatës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Avokati i Popullit vlerëson se shteti duhet të veprojë veçanërisht në rastet kur institucionet janë në dijeni për rreziqet që ndotja paraqet për jetën, shëndetin dhe mirëqenien e popullatës.
Për këtë arsye, Avokati i Popullit i ka adresuar Qeverisë së Kosovës dhe institucioneve të tjera përgjegjëse një sërë rekomandimesh për forcimin e mbikëqyrjes, zbatimin e legjislacionit dhe ndërmarrjen e masave të qëndrueshme për reduktimin e ndotjes.
Raporti është hartuar pas hetimeve të nisura me vetiniciativë, bazuar në raportimet institucionale dhe mediale për gjendjen e cilësisë së ajrit në vend.