Skandali që përfshin Jensen Huang, themeluesin dhe drejtorin ekzekutiv të gjigantit teknologjik Nvidia, ka marrë një tjetër kthesë, duke përfunduar në gjykatë. Një grup aksionerësh ka ngritur padi ndaj Huang dhe kompanisë, vlera e së cilës në treg arrin në 4.3 trilionë dollarë, duke i akuzuar se kanë fshehur nga investitorët rreziqet që mund të sillnin marrëdhëniet e drejtuesit me Alice Huang, një grua e dyshuar nga inteligjenca amerikane për lidhje me shërbimet sekrete kineze.

Çështja, e cila nisi si një histori nga jeta private e një prej njerëzve më të fuqishëm në industrinë e inteligjencës artificiale, është shndërruar tashmë në një çështje të sigurisë kombëtare. Në të është përfshirë edhe Shtëpia e Bardhë, ndërsa presidenti amerikan Donald Trump ka konfirmuar se FBI po kryen verifikime lidhur me rastin.

Padia është depozituar në Gjykatën Federale në San Jose të Kalifornisë, vetëm 5 minuta pas mbylljes së bursës së Wall Street. Aksionerët, të udhëhequr nga Mark Kistenmacher, akuzojnë Nvidia-n dhe Huang se kanë mashtruar investitorët duke mos bërë publike rreziqet që mund të vinin nga marrëdhëniet e drejtuesit me Alice Huang, ish-drejtuese e kompanisë Megaspeed, me seli në Singapor, e cila operon në sektorin e shërbimeve cloud.

Reklamë

Sipas paditësve, mungesa e transparencës i ka penguar investitorët të vlerësojnë pasojat e mundshme që kjo çështje mund të kishte për reputacionin dhe aktivitetin tregtar të kompanisë. Ata kërkojnë dëmshpërblim, shuma e të cilit ende nuk është përcaktuar.

Alice Huang nuk ka lidhje familjare me drejtuesin e Nvidia-s, pavarësisht mbiemrit të përbashkët. Huang është një nga mbiemrat më të përhapur në Kinë, që mbahet nga më shumë se 30 milionë persona.

Gruaja, e cila dyshohet nga inteligjenca amerikane se ka përcjellë informacione drejt Kinës, është tashmë në qendër të hetimeve dhe vëmendjes mediatike.

Lajmi për padinë vjen pas një dite të vështirë për Nvidia-n në bursë. Të hënën, aksionet e kompanisë ranë me 4.3%, duke i shkaktuar një humbje prej rreth 190 miliardë dollarësh në vlerën e saj të tregut.

Trump mbron Huang: I besoj, gjithçka do të shkojë mirë

Reklamë

Ndërkohë, çështja ka mbërritur edhe në Shtëpinë e Bardhë. Presidenti Donald Trump konfirmoi se FBI po merret me rastin, por nuk dha detaje mbi natyrën e verifikimeve. Sipas një burimi të cituar nga gazeta Financial Times, hetuesit amerikanë po e ndjekin çështjen prej një kohe të gjatë.

Trump tregoi se kishte biseduar me Jensen Huang, i cili i kishte siguruar se nuk kishte dyshuar kurrë që Alice Huang mund të ishte spiune. “Unë e besoj”, deklaroi presidenti amerikan, duke shtuar se beson që për drejtuesin e Nvidia-s “gjithçka do të shkojë mirë”.

Deklaratat e Trump përbëjnë një mbështetje të rëndësishme për Huang, veçanërisht duke pasur parasysh marrëdhëniet e ngushta mes tyre lidhur me eksportin e çipave të avancuar amerikanë.

Reklamë

Por pikërisht marrëdhëniet me administratën amerikane janë bërë pjesë e një tjetër zhvillimi të çështjes.

Sekretari amerikan i Shtetit, Marco Rubio, raportohet se kishte mbikëqyrur më herët hartimin e një memorandumi mbi dyshimet që lidheshin me Alice Huang. Dokumenti u ishte shpërndarë drejtuesve të lartë të administratës amerikane përpara vizitës së Trump në Pekin, majin e kaluar.

Megjithatë, Trump tha se nuk e kujtonte dokumentin, ndonëse pranoi se shërbimet e inteligjencës mund t’ia kishin paraqitur. Ai përjashtoi gjithashtu mundësinë që ta diskutonte këtë çështje me presidentin kinez Xi Jinping gjatë takimit të ardhshëm në Kinë.

Kush është Alice Huang, gruaja që dyshohet për spiunazh në favor të Pekinit?

Reklamë

Alice Huang, e njohur edhe si Huang Le, është rreth 42 vjeçe, megjithëse të dhënat publike për të janë të kufizuara. Ajo ka punuar më parë në sektorin bankar dhe atë të investimeve, përpara se në mars të vitit 2023 të bëhej aksionere kontrolluese e kompanisë Megaspeed, një partnere zyrtare e Nvidia-s në ofrimin e shërbimeve cloud.

Kompania ka tërhequr vëmendjen e autoriteteve amerikane edhe për aktivitetin e saj në tregtinë e procesorëve të avancuar. Filiali i saj në Indonezi ka importuar gjatë periudhës 2024-2026 procesorë të prodhuar nga Nvidia, përfshirë edhe modelet H100, të cilat bëjnë pjesë në kategorinë e çipave të avancuar, eksporti i të cilëve drejt Kinës është subjekt i kufizimeve amerikane.

Megjithatë, dërgesat e këtyre procesorëve drejt Indonezisë nuk përbëjnë në vetvete prova për shkelje të rregullave të eksportit.

Edhe më herët, Megaspeed kishte qenë nën vëzhgimin e autoriteteve amerikane, për shkak të dyshimeve se mund të ndihmonte klientët kinezë të siguronin akses në gjysmëpërçues që i nënshtroheshin kufizimeve të eksportit.

Reklamë

Në fund të vitit 2023, pronësia e kompanisë kaloi te firma singaporiane SwiftData, por deri më tani nuk është bërë e qartë se kush janë pronarët e saj përfitues. Dyshimet janë se Alice Huang mund të ketë ruajtur ndikimin mbi aktivitetin e kompanisë edhe pas këtij ndryshimi.

Megjithatë, akuzat për spiunazh nuk janë verifikuar në mënyrë të pavarur nga mediat që kanë raportuar mbi çështjen, ndërsa Pekini i ka hedhur poshtë ato.

Nvidia nis hetimet, Huang pranon tradhtinë bashkëshortore

Një tjetër element që ka shtuar pikëpyetjet lidhet me mënyrën se si Nvidia ka menaxhuar situatën. Vetëm javën e kaluar, drejtuesi i departamentit ligjor të kompanisë, Tim Teter, u kishte deklaruar punonjësve se lajmet për marrëdhënien e Huang me Alice Huang ishin të pabazuara. Sipas tij, këto pretendime vinin nga persona që synonin të dëmtonin reputacionin e drejtuesit të kompanisë.

Por vetëm pak ditë më vonë, të dielën, Jensen Huang pranoi se kishte qenë i pabesë ndaj bashkëshortes së tij, duke kërkuar falje ndaj familjes dhe punonjësve të kompanisë.

Pas zhvillimeve, bordi drejtues i Nvidia-s ka nisur një hetim të pavarur për të verifikuar nëse drejtuesi i saj mund të ketë qenë objektiv i një operacioni të inteligjencës së huaj.

Nga ana tjetër, kompania deklaron se nuk ka asnjë të dhënë që të sugjerojë se sekretet industriale apo informacionet që lidhen me sigurinë kombëtare janë komprometuar. Nvidia ka konfirmuar gjithashtu se vijon të ketë besim te drejtuesi i saj ekzekutiv.

A rrezikohet pjesëmarrja e Huang në delegacionin amerikan në Kinë?


Pasojat e çështjes mund të shtrihen edhe në marrëdhëniet ekonomike dhe diplomatike mes Washingtonit dhe Pekinit. Sipas gazetës South China Morning Post, pjesëmarrja e Jensen Huang në delegacionin amerikan që do të shoqërojë Donald Trump në samitin e APEC-ut në Shenzhen, javën e ardhshme, është vënë në pikëpyetje.

Në këtë mision pritet të marrin pjesë edhe Elon Musk dhe drejtuesi i Mastercard, Michael Miebach. Musk ka dalë publikisht në mbrojtje të themeluesit të Nvidia-s, duke e cilësuar atë si një figurë të pazëvendësueshme për lidershipin amerikan në fushën e inteligjencës artificiale.

Ndërkohë, edhe Kongresi amerikan kërkon përgjigje. Tre kryetarë republikanë të komisioneve të Dhomës së Përfaqësuesve i kanë kërkuar Huang të paraqitet më 18 nëntor në një seancë dëgjimore me dyer të mbyllura, ku do të japë shpjegime për marrëdhëniet e tij me Alice Huang.

Edhe kreu i demokratëve në Dhomën e Përfaqësuesve, Hakeem Jeffries, e ka cilësuar çështjen si një problem serioz që kërkon sqarim.

Kështu, ajo që fillimisht u shfaq si një histori e jetës private të drejtuesit të Nvidia-s, tashmë ka marrë përmasa shumë më të gjera, duke vënë në pikëpyetje transparencën e kompanisë ndaj aksionerëve, sigurinë e teknologjive më të avancuara amerikane dhe rolin e një prej kompanive më të rëndësishme në garën globale për inteligjencën artificiale.