Dhoma e Përfaqësuesve në SHBA bllokoi nismën për shkarkimin e Sekretarit të Mbrojtjes, Pete Hegseth. Përmes një votimi me rezultat të ngushtë 211 me 204, ligjvënësit vendosën ta kalojnë mocionin në Komisionin e Drejtësisë, një manovër procedurale që në praktikë e pezullon procesin.

Nisma u ndërmor nga kongresmeni disident republikan Thomas Massie, i vetmi nga partia e tij që bashkoi votat me demokratët.

Ai e akuzon kreun e Pentagonit për shkelje të ligjit me zhvillimin e operacioneve ushtarake në Iran për më shumë se 90 ditë pa autorizimin e Kongresit, si dhe për ekzekutime jashtëgjyqësore gjatë aksioneve detare kundër trafikantëve të drogës në Paqësor dhe Karaibe.

Reklamë

Nga Pentagoni, Hegseth e quajti procedurën e shkarkimit një “farsë” dhe “sabotazh politik”, duke mbrojtur ligjshmërinë e operacioneve ushtarake.

Gjithashtu, Presidenti Donald Trump e përshëndeti rezultatin e votimit, duke e konsideruar republikanin Tomas Massie “dështak të madh”, ndërsa sekretarin e mbrojtjes “patriot madhështor amerikan”.

Megjithatë, kjo fitore për Hegseth mund të jetë e përkohshme, pasi demokratët përgatiten të marrin kontrollin e të dyja dhomave të Kongresit në janar.