Në Gjykatën Themelore në Prishtinë në gjykimin për sulmin në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut, në seancën e së mërkurës u deklaruan sërish të pafajshëm dy vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq dhe i akuzuari tjetër Igor Dimoviq.

Deklarimin rreth fajësisë të akuzuarit e bënë pas ndryshimit të përbërjes së trupit gjykues.

Lënda ka kaluar tek gjyqtari Leon Përlaska si kryetar i trupit gjykues, për shkak se kryetari i deritanishëm Vesel Ismaili është pensionuar, raporton “Betimi për Drejtësi“.

Reklamë

Kështu, përbërja e re e trupit gjykues është: Leon Përlaska- kryetar, Lutfi Shala dhe Kujtim Krasniqi- anëtarë.

Në gjykim më 17 dhjetor do të dëshmojë Tijana Viqentijeviq, familjare e dy të akuzuarve Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq.

Kryetari i ri i trupit gjykues, Leon Përlaska bëri të ditur se dëshmitarët që janë caktuar para se të ndryshohet trupi gjykues do të respektohen dhe të ftohen.

Përlaska: Radha e thirrjes së dëshmitarëve do të respektohet edhe nga ky trup gjykues

“Në seancat e kaluara dhe në përbërjen e kaluar të trupit gjykues janë aprovuar disa dëshmitarë. Është paracaktuar edhe radha e thirrjes së tyre, e cila do të respektohet edhe nga ky trup gjykues. Kanë mbetur disa propozime të mbrojtjes pa u vendosur, është marrë mendimi i prokurorit. Gjykata njofton palët se në seancën e ardhshme do dëshmoj Tijana Viçentijeviq”, tha ai.

Reklamë

Seanca e radhës do të mbahet me 17 dhjetor më ora 13:00.

Prokuroria Speciale e Republikës së Kosovës (PSRK) ka ngritur aktakuzë ndaj vëllezërve Dragisha e Jovan Viqentijeviq, dhe ndaj Igor Dimoviq, të cilët ngarkohen për sulmin e 29 nëntorit 2024 në kanalin e Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut.

Sipas aktakuzës së Prokurorisë vëllezërit Dragisha dhe Jovan Viqentijeviq më 29 nëntor 2024, rreth orës 18:50, në fshatin Varagë, Komuna e Zubin Potokut, kanë vendosur eksploziv në pjesën e kanalit të “Ibër Lepenc”, infrastrukturë publike e cila shërben për furnizimin me ujë të pijshëm dhe nevoja të Korporatës Energjetike të Kosovës (KEK) për prodhim të energjisë elektrike.

Në aktakuzë thuhet se të akuzuarit, së bashku me disa persona të tjerë ende të panjohur, pas një marrëveshje paraprake, me qëllim të frikësimit serioz të popullsisë së vendit dhe rrezikimit të rendit kushtetues dhe sigurisë së Republikës se Kosovës, e kanë vendosur një sasi të konsiderueshme të eksplozivit që shërben për përdorim ushtarak, (rreth 20 kilogram te llojit Trinitrotoluene “TNI”) në brendësi të kanalit.

Reklamë

Me këto veprime, sipas Prokurorisë, të akuzuarit kanë shkaktuar një rrezik serioz për jetën dhe sigurinë e popullsisë dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike të shtetit, ku në këtë rast të dëmtuarës- Ibër Lepencit i janë shkaktuar dëme materiale në vlerë prej 376 mijë e 774 euro e 70 centë.