Deputetët e PDK-së në Komisionin për Legjislacion kanë kërkuar që Ligji për Dhomat e Specializuara të procedohet në Kuvend në formën aktuale dhe të miratohet sërish me së paku 61 vota, duke tejkaluar kështu vendimin e Presidentes për kthimin e tij në rishqyrtim. Ndërkaq, deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje kanë kërkuar që të mos procedohet me nguti me të njëjtin tekst ligjor, por të shqyrtohen mundësitë për një iniciativë të re, pas konsultimeve dhe vlerësimit të pasojave.
Kryetari i Komisionit për Legjislacion, Vigan Qorrolli, ka sqaruar se kthimi i ligjit nga Presidentja nuk nënkupton anulimin e tij dhe as përbën vendimmarrje përfundimtare për fatin e tij. Sipas tij, vendimi i takon Kuvendit, ndërsa Komisioni ka për obligim ta shqyrtojë çështjen dhe t’ia përcjellë raportin seancës plenare.
“Kthimi i ligjit nga Presidentja nuk përbën anulim të tij e as vendimmarrje përfundimtare. Në këtë procedurë, Komisioni ynë ka obligim ta shqyrtojë çështjen dhe t’ia përcjellë Kuvendit, i cili e ka të drejtën për vendim”, ka deklaruar Qorrolli.
Ai ka theksuar se, në këtë fazë, Kuvendi mund ta miratojë sërish ligjin ose të mos e miratojë atë, por nuk mund të ndërhyjë në tekst përmes amendamenteve. Sipas interpretimit të tij, procedura e kthimit të ligjit nuk është mundësi për ta ndryshuar përmbajtjen e tij, por për të vendosur nëse do të rikonfirmohet versioni i miratuar më parë.
Qorrolli ka bërë të ditur se për rikonfirmimin e ligjit nevojiten së paku 61 vota. Nëse kjo shumicë arrihet, ligji konsiderohet i shpallur, ndërsa nëse nuk sigurohen votat e nevojshme, sipas Rregullores së Kuvendit konsiderohet se nuk ka ligj.
“Nëse Kuvendi e përmbys të ashtuquajturën veto të Presidentes dhe e miraton sërish ligjin me së paku 61 vota, ai konsiderohet i shpallur. Nëse kjo shumicë nuk arrihet, sipas Rregullores së Kuvendit konsiderohet se nuk ka ligj”, ka thënë ai.
Megjithatë, Qorrolli ka sqaruar se në Kosovë nuk ekziston mekanizëm i vetos në kuptimin që përdoret, për shembull, në Këshillin e Sigurimit të Kombeve të Bashkuara. Në këtë rast, bëhet fjalë për të drejtën e Presidentes për ta kthyer ligjin në Kuvend për rishqyrtim.
Kryetari i Komisionit ka shprehur qëndrimin se rruga më e përgjegjshme do të ishte nisja e një iniciative të re ligjore, e hartuar me kujdes dhe me pjesëmarrjen e përbashkët të grupeve parlamentare. Ai e ka cilësuar nismën e PDK-së si të ngutshme dhe juridikisht të pamjaftueshme, duke vlerësuar se përsëritja e votimit pa reflektuar mbi përmbajtjen nuk përbën përmirësim të ligjit.
“Qëndrimi ynë si mazhorancë politike është shumë i qartë; ne konsiderojmë që një iniciativë e re ligjore, e hartuar me kujdes dhe me pjesëmarrje të përbashkët parlamentare, do të ishte rruga më e përgjegjshme për trajtimin e kësaj çështjeje”, ka deklaruar Qorrolli.
Ai ka bërë të ditur se raporti i Komisionit do t’i përcillet Kuvendit për vendimmarrje, duke iu referuar edhe dispozitave të Rregullores së Kuvendit dhe një aktgjykimi të Gjykatës Kushtetuese të vitit 2012.
Në anën tjetër, deputetja e PDK-së, Blerta Deliu-Kodra, ka bërë të ditur se pas diskutimeve politike me Lëvizjen Vetëvendosje është arritur dakordim që ligji të procedohet në Kuvend në formën aktuale, ndërsa ndryshimet të trajtohen në një fazë të mëvonshme.
“Jemi dakorduar që të kalojë ligji, por nuk ka dakordësi që të ndryshohet ligji. Duhet ta procedojmë ligjin ashtu siç është dhe më pas do të hyjmë në proces të amendamentimit”, ka thënë Deliu-Kodra.
Ajo ka treguar se PDK-ja ka zhvilluar negociata me LVV-në për mënyrën se si do të trajtohet ligji, por palët nuk kanë arritur marrëveshje për ndryshimin e tij në këtë fazë.
Deliu-Kodra ka thënë se ka pasur interpretime të ndryshme rreth Rregullores së Kuvendit. Sipas saj, PDK-ja ka konsideruar se amendamentimi i ligjit është i mundur në këtë procedurë, ndërsa shumica parlamentare ka vlerësuar se një gjë e tillë nuk lejohet.
“Prandaj, sot jemi në situatën që duhet ta procedojmë ligjin për miratim në Kuvend, në formën siç është. Pastaj do të nisim një proces të ri të amendamentimit të ligjit, bashkë me deputetët”, ka deklaruar ajo.
Deliu-Kodra ka kërkuar që vendimi i Presidentes Justina Shiroka-Pula për kthimin e ligjit të tejkalohet me votat e nevojshme në Kuvend, në mënyrë që ai të hyjë në fuqi. Deputeti Përparim Gruda, i cili ishte marrë me këtë ligj, nuk ka folur gjatë mbledhjes dhe as nuk është deklaruar pas saj.
Nga Lëvizja Vetëvendosje, deputeti Adnan Rrustemi ka shprehur rezerva për procedimin e ligjit në formën aktuale, duke kërkuar që para hapave të mëtejmë të shqyrtohen pasojat dhe të zhvillohen konsultime me grupin për strategji, ku janë të përfaqësuara të gjitha grupet parlamentare, si dhe me Bashkimin Evropian.
“I kemi edhe dy javë, nuk është mirë me u ngut e me i përsërit gabimet, sepse po na kushtojnë shumë. Është mirë me u ndërlidh edhe me grupin për strategji, ku janë të përfaqësuara të gjitha grupet parlamentare, dhe të ketë konsultim edhe me BE-në”, ka deklaruar Rrustemi.
Megjithatë, deputeti tjetër i LVV-së, Artan Abrashi, ka deklaruar se do ta mbështesë rrëzimin e vendimit të Presidentes për kthimin e ligjit.
“Do të vazhdojmë ta përkrahim edhe rrëzimin e vetos. Fazat e reja të cilat mund të inicohen për këtë ligj janë tema të reja, por si deputet nuk ndjej obligim për të vepruar sipas skenarit opozitar”, ka thënë Abrashi.
Ndërkaq, nga Aleanca, Besnik Tahiri ka kërkuar që procedurat të përshpejtohen, duke theksuar se koha është e rëndësishme për shkak të procesit gjyqësor në apel në Hagë.
“Sa më shumë që ne në Kuvend e vonojmë, e tjerrim, aq më shumë humbin atje. Kjo është kërkesa jonë si grup parlamentar: në cilëndo formë që shkon, këtë proces ta bëjmë me një shpejtësi që të përmbyllet”, ka deklaruar Tahiri.
Ai ka bërë të ditur se Aleanca do ta mbështesë qëndrimin e sponsorizuesit të ligjit, por ka kërkuar që çdo proces i mundshëm i amendamentimit të bëhet me kujdes.
Si u kthye ligji në Kuvend?
Ligji për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për Dhomat e Specializuara, i miratuar në Kuvend më 6 tetor 2026, pak minuta para zgjedhjes së Justina Shiroka-Pulës presidente të Kosovës, u kthye për rishqyrtim me kërkesë të PDK-së, e cila ishte edhe sponsorizuese e tij.
Në votimin e 6 tetorit, ndryshimet u miratuan me 88 vota për, asnjë kundër dhe asnjë abstenim. Pro votuan deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje, PDK-së, Aleancës dhe përfaqësues të komuniteteve të partive joshumicë joserbe. LDK-ja nuk mori pjesë në votim.
Miratimi i ligjit ishte shoqëruar me protesta të ashpra para Kuvendit, ku protestuesit kërkonin ndryshime ligjore pas aktgjykimit ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës në Hagë. Protestat ishin përcjellë edhe me përplasje me Policinë.
Sipas nenit 80, paragrafit 3, të Kushtetutës, Presidentja ka të drejtë ta kthejë një ligj në Kuvend vetëm një herë, duke paraqitur arsyet e vendimit. Ndërkaq, neni 84 i Rregullores së Kuvendit përcakton procedurën që duhet të ndiqet pas kthimit të ligjit.
Në kërkesën zyrtare të 22 tetorit, PDK-ja kishte thënë se rishqyrtimi do të mundësonte plotësimin e dispozitave të caktuara dhe forcimin e sigurisë juridike të ligjit, me qëllim të garantimit të të drejtave kushtetuese të ish-krerëve të UÇK-së që po gjykohen në Hagë.
PDK-ja kishte vlerësuar se ligji ishte finalizuar në pjesën dërrmuese dhe se rishqyrtimi duhej të shërbente për një verifikim përfundimtar profesional dhe për adresimin e elementeve që mund ta pengonin zbatimin e tij.
“Kërkesa është për rikthim në Kuvend, jo në Qeveri apo për nisjen e punës nga e para”, thuhej në deklaratën e partisë.
PDK-ja kishte ftuar ekspertët që kishin shprehur gatishmëri për të kontribuuar, përfshirë Avokatin e Popullit, që t’i paraqisnin propozimet e tyre konkrete. Partia kishte thënë se priste që ligji të miratohej sërish brenda katër javësh, duke theksuar se gatishmëria për përmirësimin e tij nuk nënkuptonte tërheqje nga nisma.
“PDK-ja nuk do të heqë dorë nga hyrja e tij në fuqi assesi”, thuhej në deklaratë.
Në arsyetimin e Presidencës ishte bërë e ditur se presidentja Justina Shiroka-Pula e kishte pranuar propozimin zyrtar të Grupit Parlamentar të PDK-së për kthimin e ligjit në Kuvend, veçanërisht për rishqyrtimin e dispozitave që ndërlidhen me juridiksionin dhe mandatin e Dhomave të Specializuara, si dhe me garantimin e plotë të të drejtave kushtetuese të personave që po gjykohen në këto dhoma.
Presidentja kishte theksuar sakrificën, angazhimin dhe kontributin e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe të krerëve të saj në luftën për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Përveç kësaj nisme, PDK-ja kishte bërë të ditur se do të vazhdonte angazhimin për një strategji të koordinuar shtetërore për procesin e apelit në Hagë, sigurimin e fondeve të nevojshme dhe mbështetjen profesionale për mbrojtjen. Sipas partisë, mbështetja për apelin dhe finalizimi i ligjit duhej të ecnin paralelisht.
Kryeministri Albin Kurti kishte deklaruar më herët se LVV-ja do ta mbështeste projektligjin në lexim të parë, ndonëse, sipas tij, nuk ishte e bindur për dobinë e tij. Ai e kishte kritikuar nismën për ndryshimin e ligjit, duke e cilësuar të ngutshme dhe të pamjaftueshëm të analizuar.
“Unë, po të isha në vendin tuaj, nuk do të ngutesha. Do ta bëja një analizë të plotë, do ta prisja aktgjykimin në formën e plotë dhe pastaj do të vepronim bashkë”, u kishte thënë Kurti deputetëve të PDK-së.
Megjithatë, LVV-ja e kishte votuar projektligjin edhe në lexim të dytë, ndonëse kishte shprehur mospajtime me përmbajtjen e tij.