Graçanka, Sitnica, Nerodime, Drenica dhe Limani i Klinës janë ndër lumenjtë më të ndotur në vend, sipas raportit të Avokatit të Popullit. Institucioni evidenton mungesë të inspektorëve mjedisorë, monitorim të pamjaftueshëm dhe zbatim të dobët të legjislacionit.

Avokati i Popullit ka publikuar raportin për gjendjen e ujërave në Kosovë, në të cilin ngre shqetësime për ndotjen e lumenjve, degradimin e shtretërve të tyre dhe mangësitë institucionale në mbrojtjen dhe menaxhimin e resurseve ujore.

Sipas të dhënave të Institutit Hidrometeorologjik të Kosovës, ndër lumenjtë më të ndotur në vend janë Graçanka në Vragoli, Sitnica përgjatë gjithë rrjedhës, Nerodime në Gerlicë dhe Kaçanik, Drenica në Drenas dhe Vragoli, si dhe Limani i Klinës në Klinë.

Reklamë

Në raport thuhet se burimet kryesore të ndotjes janë shkarkimet urbane të ujërave të patrajtuara, aktivitetet industriale, përdorimi bujqësor, hedhja e mbeturinave në shtretërit e lumenjve dhe degradimi i tyre hidromorfologjik.

Shqetësim i veçantë paraqet edhe eksploatimi i pakontrolluar i rërës dhe zhavorrit, i cili, sipas raportit, ka shkaktuar degradim të konsiderueshëm të shtretërve të lumenjve, me pasoja për ekosistemet ujore dhe tokat përreth.

Një tjetër problem i evidentuar është mungesa e kapaciteteve institucionale, veçanërisht në nivel lokal. Në shumicën e komunave mungojnë zyrtarët dhe inspektorët mjedisorë, ndërsa shumica nuk kanë plane lokale për mbrojtjen e mjedisit.

Raporti evidenton gjithashtu mangësi në koordinimin ndërinstitucional, kapacitetet profesionale, monitorimin e resurseve ujore dhe zbatimin e legjislacionit.

Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës, sipas raportit, përballet me mungesë të stafit, nevojë për pajisje të reja laboratorike dhe zgjerim të rrjetit monitorues, veçanërisht për ujërat nëntokësore.

Reklamë

98.7 për qind e mostrave të ujit në përputhshmëri gjatë vitit 2024

Raporti paraqet edhe të dhënat e Institutit Kombëtar të Shëndetësisë Publike të Kosovës për cilësinë e ujit të pijshëm.

Gjatë vitit 2024 janë analizuar 11 mijë e 16 mostra të ujit, prej të cilave 98.7 për qind kanë qenë në përputhshmëri me vlerat parametrike të përcaktuara.

Ndërsa, gjatë periudhës janar-gusht 2025, nga 8 mijë e 435 mostra të analizuara, 98.2 për qind kanë rezultuar në përputhshmëri me standardet përkatëse.

Reklamë

Megjithatë, Avokati i Popullit veçon edhe problemin e manganit në Liqenin e Badocit, ku gjatë vitit 2024 dhe në vitin 2025 janë evidentuar tejkalime të vlerave të përcaktuara.

Avokati i Popullit kërkon veprime konkrete

Raporti trajton edhe rrezikun nga përmbytjet, duke theksuar nevojën për planifikim afatgjatë, investime në infrastrukturën ujore, mirëmbajtje sistematike të rrjedhave ujore dhe funksionim efektiv të mekanizmave të paralajmërimit të hershëm.

Avokati i Popullit vlerëson se problemet në sektorin e ujërave nuk janë të reja dhe se ato janë raportuar ndër vite nga institucionet publike, organizatat ndërkombëtare, shoqëria civile dhe vetë ky institucion.

Reklamë

“Pavarësisht ekzistencës së legjislacionit dhe dokumenteve strategjike, zbatimi i masave ka avancuar me ritëm të pamjaftueshëm, ndërsa shumë prej problemeve vazhdojnë të mbeten të pazgjidhura”, thuhet në raport.

Institucioni thekson se në këtë fazë nuk nevojiten më analiza shtesë për të dëshmuar ekzistencën e problemeve, por veprime konkrete nga autoritetet përgjegjëse.

“Nuk ekziston më nevoja për analiza shtesë mbi ekzistencën e problemeve, por për veprime konkrete, urgjente dhe të koordinuara nga autoritetet përgjegjëse”, thuhet në raportin e publikuar më 12 nëntor.

Avokati i Popullit ka ofruar edhe rekomandime për institucionet përgjegjëse, duke kërkuar koordinim më të mirë ndërmjet nivelit qendror dhe lokal, mbrojtje të lumenjve nga ndërhyrjet e pakontrolluara dhe përfshirje më efektive të publikut në vendimmarrje.

Reklamë