Deputeti i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Fadil Hadergjonaj, ka ngritur shqetësimin për furnizimin e Policisë së Kosovës me uniforma dhe pajisje personale, duke thënë se policët e rendit po furnizohen me këpucë vetëm tani, kur vendi po hyn në sezonin e dimrit.
Gjatë seancës së Kuvendit, Hadergjonaj e ka pyetur ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për nivelin e pajisjes së policëve me uniforma, jelekë antiplumb dhe helmeta mbrojtëse, si dhe për furnizimet e fundit dhe mungesat aktuale, shkruan Gazeta Online Reporteri.net.
Në përgjigjen e tij, Sveçla ka deklaruar se Policia e Kosovës është e pajisur me të gjitha pajisjet, uniformat dhe mbathjet e nevojshme për kryerjen e detyrave.
Ai ka thënë se gjatë viteve 2021-2025, buxheti i alokuar dhe i shpenzuar për Policinë e Kosovës ka arritur në 732 milionë euro, prej të cilave 189 milionë euro janë shpenzuar për uniforma, armatim, municion, makineri, teknologji informative, radiokomunikim, automjete, mirëmbajtje dhe pajisje të tjera.
Sipas Sveçlës, aktualisht Policia e Kosovës ka 180 kontrata aktive, me vlerë mbi 70 milionë euro, të cilat përfshijnë investime në pajisje, uniforma, mbathje, shërbime, teknologji informative, ndërtime dhe rinovime.
I pyetur konkretisht se kur janë blerë uniformat dhe në çfarë sasie, ministri tha se kontrata për uniformat e policisë së rendit është nënshkruar dhe furnizimi pritet të realizohet gjatë ditëve ose javëve në vijim.
“Për sa u përket uniformave taktike dhe operacionale, ato kanë ndodhur në vazhdimësi dhe nuk ka mungesa”, tha Sveçla.
Pas kësaj përgjigjeje, Hadergjonaj tha se nga komunikimi me vetë policët ka kuptuar se ata janë furnizuar me këpucë vetëm tani, në prag të dimrit, ndonëse, sipas tij, këpucët është dashur të siguroheshin për sezonin e verës.
Ai gjithashtu ironizoi me furnizimin e kadetëve të gjeneratës së fundit, duke përmendur se gjatë ceremonisë së diplomimit ata janë kujdesur t’i hedhin kapelat në mënyrë që të mos ngatërrohen, pasi, sipas tij, ato u ishin huazuar nga kolegët.
Ndërkaq, Sveçla tha se gjatë mandatit të qeverisjes janë rekrutuar mbi 3 mijë kadetë policorë dhe se nevojat për pajisje po adresohen vazhdimisht. Ai shtoi se për shkak të sigurisë dhe interesave operative nuk mund të publikojë të gjitha të dhënat./Reporteri.net/