Kryetarja e Kuvendit të Kosovës, Albulena Haxhiu, ka shtyrë për nesër vazhdimin e seancës së sotme, pasi deputetët nuk u kthyen në sallë edhe gjysmë ore pas përfundimit të pauzës.

Seanca ishte paraparë të vazhdonte në orën 14:00, por në sallë ndodheshin vetëm disa deputetë të PDK-së e LDK-së dhe dy deputetë të Lëvizjes Vetëvendosje.

Haxhiu tha se nuk mund të vazhdojë punimet në këto rrethana, duke kritikuar vonesën e deputetëve.

Reklamë

“Nuk është serioze që gjysmë ore pas orës 14:00 nuk po vijnë deputetët. Nuk kam mundësi me funksionu dhe me prit deri në pafundësi”, ka thënë Haxhiu.

Ajo njoftoi se Kuvendi do t’i vazhdojë punimet nesër, në orën 11:00.

Në rend dite për vazhdimin e seancës ishin katër marrëveshje ndërkombëtare, interpelanca me ministrin e Shëndetësisë, Arben Vitia, mocioni për energjinë, si dhe diskutimi për Ligjin për Dhomat e Specializuara të Kosovës.