Gjykata Themelore në Pejë ka shtyrë seancën fillestare ndaj Jeton Sylajt, i cili akuzohet se e kishte kanosur me vrasje ish-bashkëshorten e tij, Arlinda Zekajn, e cila u vra më 25 tetor të këtij viti në Vitomiricë të Pejës.
Seanca nuk është mbajtur me kërkesë të avokatit Besnik Berisha, përfaqësuesit të palës së dëmtuar, i cili kishte njoftuar Gjykatën se nuk mund të merrte pjesë në shqyrtim.
Sipas njoftimit të Gjykatës, pas shqyrtimit të kërkesës dhe marrjes së mendimeve të palëve të pranishme, është aprovuar shtyrja e seancës.
Seanca e radhës është caktuar për 24 nëntor 2026, në orën 13:00.
Ndërkohë, një ditë më herët Gjykata kishte vendosur që shqyrtimi fillestar të mbahet i mbyllur për publikun, me kërkesë të Prokurorisë, për të mbrojtur jetën personale dhe familjare të të pandehurit, palës së dëmtuar dhe pjesëmarrësve të tjerë në procedurë.
Prokuroria Themelore në Pejë e kishte ngritur aktakuzën ndaj Sylajt më 23 tetor 2026, duke e akuzuar për veprën penale të kanosjes.
Sipas aktakuzës, në dhjetor të vitit 2025, në Vitomiricë, Sylaj e kishte kërcënuar ish-bashkëshorten përmes telefonit, duke i thënë se do ta vriste dhe duke e ofenduar me fjalë të rënda. Këto veprime, sipas Prokurorisë, i kishin shkaktuar viktimës frikë dhe ankth.
Në kallëzimin penal të pranuar më 20 korrik 2026, Arlinda Zekaj kishte raportuar se gjatë martesës 11-vjeçare kishte përjetuar dhunë psikike dhe fizike nga ish-bashkëshorti, përfshirë kërcënime dhe detyrimin për të marrë kredi në vlerë prej rreth 9 mijë eurosh.
Sipas deklarimeve të saj të përfshira në aktakuzë, Sylaj e kishte detyruar të largohej nga shtëpia dhe ia kishte djegur rrobat, ndërsa ajo kishte shprehur frikë për sigurinë e saj.
Në anën tjetër, sipas aktakuzës, Sylaj kishte pranuar se e kishte kanosur me fjalët “kom met mbyt, kom met ngre zhag”, por kishte pretenduar se këtë e kishte bërë për shkak të shqetësimeve lidhur me djalin e tyre.
Arlinda Zekaj u vra mbrëmjen e 25 tetorit në Vitomiricë të Pejës. Për vrasjen dyshohet kunati i saj, Albert Sylaj.
Rasti i kanosjes ndaj saj tashmë po trajtohet në procedurë gjyqësore.