Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Ganimete Musliu, ka kritikuar ministrin e Punëve të Brendshme, Xhelal Sveçla, për vonesat në furnizimin e Policisë së Kosovës me uniforma dhe pajisje të tjera, duke ngritur edhe çështjen e gomave dimërore për automjetet policore.
Gjatë seancës së Kuvendit, Musliu e ka pyetur Sveçlën për arsyet që çuan në shtyrjen e ceremonisë së diplomimit të gjeneratës së re të policëve për shkak të mungesës së uniformave, si dhe për raportimet se për ceremoninë ishin huazuar kapela nga kadetët e gjeneratave të mëparshme.
Në përgjigjen e tij, Sveçla ka thënë se furnizimi me uniforma është përcjellë nga procedura të shumta të prokurimit dhe ankesa të operatorëve ekonomikë në Organin Shqyrtues të Prokurimit dhe në gjykata.
Ai ka përmendur një procedurë emergjente të nisur më 31 tetor 2024, e cila ishte anuluar më 12 dhjetor të po atij viti, pasi operatori ekonomik ishte vlerësuar i papërgjegjshëm nga Policia e Kosovës.
Sipas tij, vetëm një ditë më pas, më 13 dhjetor 2024, Policia kishte nisur një procedurë tjetër emergjente me të njëjtin operator, me vlerë të planifikuar prej 2.7 milionë eurosh.
Sveçla ka thënë se, ndonëse kontrata ishte rekomanduar për nënshkrim, ai nuk e kishte nënshkruar për shkak të parregullsive procedurale.
Ai ka bërë të ditur se në korrik të këtij viti e ka nënshkruar kontratën për furnizim me uniforma, në vlerë prej 11.3 milionë eurosh, pas pranimit të vendimit të formës së prerë të gjykatës për procedurën e nisur në vitin 2023.
“Gjithashtu, ky proces, sikurse edhe disa procese të tjera të zhvilluara për furnizime, ngre pikëpyetje serioze dhe lë shumë vend për dyshime. Për të gjitha këto zhvillime, tashmë Inspektorati Policor i Kosovës është duke zhvilluar hetimet e tij”, ka deklaruar Sveçla.
Ai ka shtuar se ministria e mbështet hetimin dhe pret që të gjitha rrethanat të sqarohen dhe të përcaktohet përgjegjësia për çdo parregullsi eventuale.
Musliu e ka kritikuar ministrin për mënyrën e menaxhimit të këtij procesi, duke thënë se mungesa e uniformave në një ditë të rëndësishme për kadetët është e papranueshme dhe përgjegjësi e tij.
“Një djalë dhe një vajzë të rinj, që e presin me padurim ta veshin uniformën dhe ta përjetojnë ceremoninë e diplomimit, ti më jep shtyp se nuk kanë uniforma. Kjo është e papranueshme, ministër. Dhe kjo është përgjegjësi e juaja personale”, ka thënë Musliu.
Sveçla i është përgjigjur se ministria nuk i përcakton kriteret e procedurave të tenderimit, pasi kjo është përgjegjësi e Policisë së Kosovës dhe Departamentit për Mbështetjen e Policisë. Sipas tij, ministri është përgjegjës për verifikimin e ligjshmërisë së procedurave në fazën përfundimtare.
Përplasja për gomat dimërore
Gjatë debatit, Musliu ka ngritur edhe çështjen e furnizimit të automjeteve të Policisë me goma dimërore, duke pyetur se si do të mund t’i kryejnë detyrat zyrtarët policorë në rast të reshjeve të borës, nëse automjetet nuk janë të pajisura me goma përkatëse.
Në përgjigjen e tij, Sveçla ka thënë se tenderi trevjeçar për furnizimin dhe montimin e gomave dimërore, me vlerë të planifikuar prej 400 mijë eurosh, është anuluar pasi të tri ofertat e pranuara nuk i kanë plotësuar kërkesat.
Sipas ministrit, dy ofertues nuk i kanë përmbushur kriteret administrative, ndërsa ofertuesi i tretë kishte paraqitur çmim shumë të lartë.
Ai ka bërë të ditur se Policia ka në depot e saj goma për 73 për qind të automjeteve, ndërsa për 27 për qind të tjera është iniciuar një procedurë ekstraemergjente e prokurimit.
Kjo procedurë, me vlerë të planifikuar prej 81 mijë e 510 eurosh, ka përfunduar me kontraktimin e një ofertuesi për 74 mijë e 424 euro, me afat dorëzimi prej 30 ditësh kalendarike.
Musliu ka vënë në pikëpyetje arsyetimin për procedurën ekstraemergjente, duke kërkuar shpjegime se pse është përdorur kjo mënyrë e prokurimit kur, sipas të dhënave të paraqitura nga ministri, Policia kishte goma rezervë për pjesën më të madhe të automjeteve.
Ajo e ka kritikuar Sveçlën edhe për kushtet e punës së policëve, duke përmendur mungesën e printerëve dhe letrës në disa zyra policore, si dhe pritjet në pikat kufitare për shkak të mungesës së pajisjeve për shtypjen e dokumenteve.
“Ju po qitni buxhet në letër, po nuk po e realizoni buxhetin në praktikë. Nuk po u krijoni kushte policëve për punë”, ka deklaruar Musliu.
Ndërkaq, Sveçla ka thënë se buxheti i Policisë për vitin 2027 është planifikuar në 176 milionë e 401 mijë euro, që paraqet rritje prej gjashtë për qind krahasuar me vitin 2026./Reporteri.net/