Presidentja e Komitetit të Helsinkit për të Drejtat e Njeriut në Serbi, Sonja Biserko, ka deklaruar se qeveria e re serbe duhet të heqë dorë nga politika e “Botës Serbe” dhe të ndryshojë rrënjësisht qasjen ndaj vendeve fqinje.

Në një intervistë për Televizionin Federal të Bosnjë e Hercegovinës, Biserko ka thënë se fitorja zgjedhore e lëvizjes studentore dhe largimi i Aleksandar Vuçiqit nga pushteti kanë ndryshuar atmosferën politike në Serbi, por reformat e mirëfillta do të kërkojnë kohë, tramsmeton KosovaPress.

Sipas saj, testi kryesor për udhëheqjen e re do të jetë politika rajonale, veçanërisht marrëdhëniet me Bosnjë e Hercegovinën dhe qëndrimi ndaj Milorad Dodikut.

Reklamë

“Beogradi, para së gjithash, duhet ta orientojë komunikimin e tij drejt Sarajevës”, ka deklaruar Biserko.

Ajo ka theksuar se autoritetet e mëparshme serbe u kanë dhënë përparësi marrëdhënieve me Dodikun dhe rrethin e tij politik e afarist, në vend të komunikimit institucional me Sarajevën.

Biserko ka ngritur pikëpyetje nëse qeveria e re do të vazhdojë politikën e “Botës Serbe”, përmes së cilës Beogradi synon të ruajë ndikimin politik mbi komunitetet serbe në vendet fqinje.

Sipas saj, udhëheqja e re duhet t’i bindë shtetet e rajonit se kjo politikë nuk do të jetë më pjesë e orientimit të Serbisë.

Ajo ka vlerësuar se Republika Sërpska nuk do të mund të funksiononte pa mbështetjen financiare dhe politike të Beogradit.

Reklamë

Duke folur për zhvillimet e brendshme në Serbi, Biserko ka thënë se ndryshimet politike kanë filluar të reflektohen edhe në sistemin e drejtësisë, ku po trajtohen raste të lëna pas dore prej vitesh.

“Krimi i organizuar e ka qendrën në Beograd, por është gjithashtu i lidhur me rajonin më të gjerë. Nëse këto rrjete shpërbëhen me sukses, ndikimi mund të jetë i konsiderueshëm në të gjithë rajonin, deri në Slloveni”, ka deklaruar ajo.

Megjithatë, Biserko ka paralajmëruar se nga lëvizja studentore nuk duhet të priten rezultate të menjëhershme, pasi shumë prej përfaqësuesve të saj nuk kanë përvojë qeverisëse.

Ajo ka theksuar se dallimet brenda kësaj lëvizjeje mund të dalin në pah gjatë përcaktimit të politikës së jashtme, sidomos në raport me Bashkimin Evropian, Rusinë dhe vendet fqinje.

Reklamë

Biserko ka kërkuar gjithashtu që Serbia të përballet me trashëgiminë e luftërave të viteve 1990, çështje që, sipas saj, ende nuk ka marrë vëmendjen e duhur nga lëvizja studentore.

Në përfundim, ajo ka vlerësuar se ndryshimi i vërtetë politik në Serbi do të matet përmes 3 çështjeve kryesore: marrëdhënieve me rajonin, përballjes me të kaluarën dhe orientimit të politikës së jashtme.

Sipas Biserkos, vetëm ndryshimi i këtyre politikave mund t’i mundësojë Serbisë të ndërtojë një pozicion më të qartë në arenën ndërkombëtare.