Pas 33 vitesh, gjatë të cilave e shndërroi Nvidia-n në kompaninë më të vlefshme në botë, karriera e themeluesit të saj u shkatërrua në më pak se dy javë…
Të martën, ndërsa përballej me një skandal gjithnjë e më të madh lidhur me marrëdhënien e tij jashtëmartesore me një grua të dyshuar si spiune kineze, Jensen Huang i befasoi punonjësit duke i mbledhur për një seancë planifikimi të prezantimit të tij të përvitshëm në Uashington.
“Do të jetë fantastike… do të jetë më e mira që kemi bërë ndonjëherë”, u tha drejtori ekzekutiv i Nvidia-s anëtarëve të ekipit të tij, sipas disa personave që kishin dijeni për takimin.
Ishte një përpjekje karakteristike për Huang, gjithmonë entuziast, për të krijuar përshtypjen se gjithçka po vazhdonte normalisht, ndërkohë që ai po luftonte për të shpëtuar veten, familjen dhe kompaninë që deri pak kohë më parë ishte më e vlefshmja në botë.
Një koleg e përshkroi përvojën si “surreale”.
Por privatisht, përballë mundësisë së humbjes së postit dhe një largimi poshtërues nga kompania që kishte bashkëthemeluar 33 vjet më parë, Huang ishte shndërruar në një figurë të zymtë. Sipas disa prej personave të kontaktuar nga FT, ai kishte diskutuar hapur me kolegët se marrëdhënia me bashkëshorten mund të ishte tashmë më e rëndësishme sesa vazhdimi i detyrës si drejtor ekzekutiv.
Të nesërmen, Huang ishte larguar.
Ai dha dorëheqjen pas një mbledhjeje të bordit, të thirrur me urgjencë, e cila zgjati deri vonë në mbrëmje në Santa Clara. Vendimi erdhi pas raportimeve për një marrëdhënie të dytë jashtëmartesore, këtë herë me një vartëse. Pak më vonë u shfaqën edhe pretendime për një marrëdhënie tjetër me një punonjëse.
Largimi i Huang përmbylli dy javë kaosi që sollën rrëzimin e një prej njerëzve më të pasur dhe më të fuqishëm në botë. Ai e kishte shndërruar Nvidia-n nga një kompani e specializuar në çipa grafikë, e njohur kryesisht nga entuziastët e teknologjisë dhe lojërave kompjuterike, në një gjigant që muajin e kaluar arriti një vlerë maksimale tregu prej 5.8 trilionë dollarësh.
Prej muajsh kishin qarkulluar thashetheme dhe raportime mediatike mbi marrëdhëniet tregtare të Nvidia-s me klientë në Azinë Juglindore që kishin lidhje me Kinën. Mes tyre ishte MegaSpeed, një kompani me seli në Singapor, e financuar nga Alibaba kineze, e cila po hetohej për trafikim të mundshëm të çipave të inteligjencës artificiale.
Eksportet e çipave drejt blerësve kinezë janë subjekt i kontrolleve të rrepta
Huang kishte kërkuar vazhdimisht lehtësimin e këtyre kufizimeve, duke argumentuar se kontrollet e eksporteve ishin kundërproduktive. Ai kishte lobuar për rifillimin e shitjeve në tregun e madh kinez.
Chris Miller, profesor në Universitetin Tufts, tha se qëndrimi i Huang ndaj Kinës kishte zemëruar shumë njerëz në Uashington.
Sipas Miller, Nvidia duket se kishte vepruar mbi bazën e bindjes se shitja e çipave një kompanie që kryesisht ofronte kapacitete kompjuterike për Alibaba-n nuk përbënte problem.
Kjo e ekspozoi kompaninë ndaj një skandali që tashmë e ka zhytur prodhuesin e çipave, në qendër të bumit të inteligjencës artificiale, në një krizë të thellë.
Pasojat janë ndier në tregjet financiare globale, ndërsa investitorët përpiqen të vlerësojnë ndikimin e mundshëm mbi rrjetin e investimeve dhe marrëveshjeve të financimit qarkullues të Huang, të cilat, sipas disa vlerësimeve, mund të kalojnë një trilion dollarë.
Skandali ka prekur edhe sekretarin amerikan të Tregtisë, Howard Lutnick
Të mërkurën, ligjvënësit kërkuan shpjegime se si departamenti i tij kishte lejuar shitjen e çipave të Nvidia-s një kompanie të lidhur me një person të dyshuar si spiun kinez.
Shtëpia e Bardhë dhe Departamenti i Tregtisë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment të mërkurën.
Ndryshimi i papritur në drejtimin e Nvidia-s, së bashku me hetimin e nisur nga bordi dhe avokatët e jashtëm, po nxjerr në dritë edhe politikën e brendshme dhe mënyrën e qeverisjes së kompanisë.
Një burim tha se Huang, 63 vjeç, e drejtonte Nvidia-n si një “sistem feudal”, me politika të ndërlikuara dinastike.
Huang kishte emëruar vajzën e tij, Madison Huang, e cila iu bashkua kompanisë si praktikante rreth gjashtë vjet më parë, dhe bashkëshortin e saj, Nico Caprez, në pozicione me ndikim. Edhe djali i tij, Spencer, mban një rol drejtues.
Disa kolegë aktualë dhe ish-kolegë e përshkruan vajzën e Huang si një person me të cilin ishte e vështirë të punohej. Ajo kishte shkaktuar pakënaqësi duke vepruar praktikisht si shefe e kabinetit të babait të saj, megjithëse pozicioni i saj zyrtar ishte drejtoreshë e lartë e marketingut.
Nvidia nuk pranoi të komentonte
Jensen Huang dhe përfaqësuesit e familjes së tij nuk iu përgjigjën kërkesës për koment.
Persona pranë Nvidia-s thanë se kontrolli pothuajse absolut i themeluesit mbi kompaninë ishte i vështirë për t’u sfiduar.
“Nuk mund t’jua përshkruaj se sa shumë i ngjan një kulti ky vend”, tha një person që ka punuar me Nvidia-n, duke treguar se këshilltari i përgjithshëm ligjor, Tim Teter, vesh një xhaketë lëkure të ngjashme me atë që është bërë simbol i Huang.
“Jensen është një Zot dhe kështu adhurohet”, shtoi ai.
Teter, i cili vepron praktikisht si drejtuesi kryesor për përputhshmërinë ligjore të Nvidia-s, megjithëse kompania nuk ka një person të emëruar zyrtarisht në këtë funksion, është ngarkuar të sigurojë që kompania të mos shkelë rregullat e shumta të kontrollit të eksporteve me të cilat përballen prodhuesit e çipave të inteligjencës artificiale.
Një tjetër bashkëpunëtore e vjetër e Huang, drejtoresha financiare Colette Kress, është vendosur papritur në postin e drejtores ekzekutive të përkohshme.
Burime brenda kompanisë thonë se ajo është përqendruar te stabilizimi i Nvidia-s, ndërsa bordi po përpiqet të gjejë një drejtues të ri, pasi nuk kishte hartuar më parë një plan formal pasardhjeje.
“Jensen ishte hyjnia supreme e Nvidia-s”, tha një investitor i kompanisë.
“Nuk kam asnjë ide se kush është personi tjetër më i aftë në kompani. Nëse zgjedhin dikë nga jashtë, kjo do të krijojë përçarje.”
Kriza që i kushtoi Huang postin e drejtuesit u përqendrua te lidhjet e tij me Alice Huang, një drejtuese e MegaSpeed, klientit me seli në Singapor.
Në fund të muajit të kaluar, The New York Times raportoi se agjencitë amerikane të inteligjencës po mbikëqyrnin Alice Huang, të cilën e dyshonin si spiune kineze që kishte fituar besimin e drejtorit ekzekutiv të Nvidia-s dhe po i transmetonte informacione Pekinit.
Fillimisht, Nvidia i hodhi poshtë pretendimet, duke deklaruar se ndërveprimet e Jensen me zonjën Huang nuk ishin as të pazakonta dhe as të papritura.
Javën pasuese, Financial Times raportoi se agjencitë amerikane të inteligjencës besonin se Huang kishte pasur një marrëdhënie romantike me gruan e dyshuar si spiune dhe kishin paralajmëruar zyrtarë të lartë qeveritarë përpara se presidenti Donald Trump të udhëtonte drejt Pekinit për një samit me Xi Jinping.
Huang iu bashkua udhëtimit në momentin e fundit, duke nxituar drejt Alaskës për të hipur në avionin presidencial Air Force One gjatë një ndalese për furnizim me karburant.
Dy ditë pas raportimit të Financial Times, Huang pranoi se kishte qenë “i pabesë ndaj bashkëshortes”.
Pranimi i tij ngriti pyetje nëse ai apo ndonjë person tjetër brenda kompanisë e kishte gënjyer më parë bordin, duke i detyruar drejtorët të nisnin një hetim të pavarur.
Megjithatë, sipas disa personave që kishin dijeni për diskutimet, kompania shpresonte ende ta shpëtonte drejtorin e saj ekzekutiv.
Anëtarët e bordit diskutuan se si mund të menaxhohej situata nëse provohej se Huang nuk kishte qenë në dijeni që partnerja e tij ishte spiune, çka do ta çlironte nga dyshimet për zbulim sekretesh.
Ata shpresonin gjithashtu se një premtim për të përmirësuar qeverisjen korporative, përmes emërimit të një kryetari të pavarur të bordit dhe krijimit të një plani formal pasardhjeje, do të qetësonte investitorët.
Skandali vazhdoi të zgjerohej
U publikuan raportime se avokati kryesor i Nvidia-s, Tim Teter, kishte tentuar të ndërhynte në një hetim të Departamentit të Tregtisë ndaj MegaSpeed.
Në përgjigje, Nvidia deklaroi se konsultohet rregullisht me zyrtarët, përfshirë rastet kur ofron informacione apo kërkon udhëzime, dhe se bashkëpunon me qeverinë për të penguar kontrabandën.
Trump e mbështeti Huang, por bëri të ditur se FBI-ja po zhvillonte një hetim.
Ndërkohë, anëtarë të zemëruar të Kongresit kërkuan që drejtuesi i Nvidia-s të paraqitej për të dëshmuar.
Ajo që rezultoi vendimtare për fundin e karrierës së tij në krye të kompanisë ishin raportimet për një tjetër marrëdhënie të dyshuar jashtëmartesore, këtë herë me Kimberly Powell, nënpresidente e Nvidia-s për sektorin e kujdesit shëndetësor. Të enjten në mëngjes, Nvidia njoftoi dorëheqjen e tij.
Mbështetësit e Huang në Silicon Valley u mobilizuan në rrjetet sociale për ta mbrojtur
Elon Musk deklaroi se do të ishte “një nder” ta punësonte në SpaceX.
Martin Casado, partner në firmën e kapitalit sipërmarrës Andreessen, shkroi se ishte një “ditë shumë, shumë e errët” dhe e cilësoi vendimin si të tmerrshëm për Shtetet e Bashkuara dhe botën perëndimore.
Brenda Nvidia-s, pavarësisht kaosit dhe humbjes së vlerës së aksioneve, disa punonjës e shohin këtë situatë si një mundësi për të ndryshuar kulturën e kompanisë dhe për të krijuar struktura qeverisjeje më të përshtatshme për përmasat që ajo ka arritur.
Një punonjës tha se niveli i arrogancës, ndjenja e pathyeshmërisë dhe bindja se nuk mund të prekeshin nga askush, të cilat karakterizonin Jensen, familjen e tij dhe disa drejtues, e kishin bërë punën në kompani “të padurueshme”.
Huang kishte 60 persona që raportonin drejtpërdrejt tek ai, gjë që i jepte ndikim të jashtëzakonshëm mbi çdo vendim brenda kompanisë, ndërkohë që nuk linte hapësirë për një individ të vetëm që të mund ta sfidonte.
“Jensen ka qenë drejtor ekzekutiv për 30 vjet. Kishte shumë njerëz që u rritën profesionalisht bashkë me të, u pasuruan dhe për këtë arsye ishin jashtëzakonisht besnikë. Por më pas ata filluan të dilnin në pension”, shtoi punonjësi.
“Tani që e gjithë kjo ka dalë në dritë, dhe ka ende më shumë për të dalë, më kujton vargjet e një vjershe për fëmijë: ‘Të gjithë kuajt e mbretit dhe të gjithë njerëzit e mbretit nuk mundën ta bashkonin sërish Humpty-n’.”/ FT