Një zbulim i ri i gazetës amerikane The Wall Street Journal ka nxjerrë në pah një histori të pazakontë pas skandalit që çoi në dorëheqjen e Jensen Huangut nga drejtimi i gjigantit teknologjik Nvidia.
Sipas WSJ-së, biznesmeni kinez Kang Wei, i cili kishte njohur Huangun prej rreth një dekade, ishte personi që ia kishte prezantuar atij Alice Huangun, gruan me të cilën drejtuesi i Nvidia-s më vonë krijoi një marrëdhënie romantike, përcjell Reporteri.net.
Por ajo që e bën historinë edhe më të pazakontë është fakti se Kang Wei ishte bashkëshorti i Alice Huangut.
Burime që njohin çiftin i kanë thënë gazetës amerikane se Kang dukej se e kishte pranuar marrëdhënien romantike të gruas së tij me drejtuesin e Nvidia-s.
Për rreth dy vjet, ai kishte folur hapur me bashkëpunëtorët për afërsinë mes tyre. Madje, sipas burimeve, ndonjëherë bënte shaka duke e quajtur bashkëshorten e tij asistente personale të Jensen Huangut.
Si u lidhën interesat biznesore me marrëdhënien romantike?
Sipas hetimit të WSJ-së, marrëdhënia mes Kang Wei, Alice Huang dhe Jensen Huangut nuk kufizohej vetëm në jetën personale.
Çifti kinez kishte ndërtuar për vite me radhë një rrjet biznesesh në Kinë, Singapor, Tajvan dhe vende të tjera, duke investuar në sektorë të ndryshëm, nga videolojërat dhe industria farmaceutike deri te qendrat e të dhënave dhe inteligjenca artificiale.
Kang Wei kishte themeluar në vitin 2010 kompaninë Shanghai Hexi, ndërsa bashkëshortja e tij ishte përfshirë në drejtimin e saj disa vite më vonë.
Përmes investimeve në industrinë e videolojërave, Kang kishte krijuar lidhje me Jensen Huangun gjatë viteve 2010, kur Nvidia njihej kryesisht për prodhimin e çipave grafikë.
Më vonë, me shpërthimin e industrisë së inteligjencës artificiale, çifti u orientua drejt një biznesi shumë më fitimprurës: qendrave të të dhënave që përdorin çipat e avancuar të Nvidia-s.

Në vitin 2023, ata morën kontrollin e një kompanie në Singapor, e cila u riemërtua Megaspeed International.
Alice Huang u regjistrua si drejtuese e kompanisë, ndërsa Kang Wei mori pjesë në zhvillimin e biznesit.
Roli i Alibaba-s dhe qasja te çipat e Nvidia-s
WSJ raporton se gjiganti kinez Alibaba luajti rol të rëndësishëm në zhvillimin e Megaspeed.
Në atë periudhë, Shtetet e Bashkuara kishin filluar të kufizonin eksportet e çipave të avancuar amerikanë drejt Kinës, nga frika se teknologjia mund të përdorej për qëllime ushtarake.
Sipas burimeve të gazetës, Alibaba kërkonte një partner që mund t’i siguronte kapacitete kompjuterike përmes qendrave të të dhënave jashtë Kinës.
Megaspeed e kishte paraqitur Alibaba-n si klient të rëndësishëm për të siguruar statusin e partnerit të Nvidia-s.
Në nëntor të vitit 2023, kompania fitoi statusin e partnerit për shërbime kompjuterike në cloud, duke siguruar qasje me përparësi në çipat e Nvidia-s.
Sipas WSJ-së, një pjesë e serverëve të blerë nga Megaspeed u vendosën në qendra të të dhënave në Malajzi.
Por burime të njohura me aktivitetin e kompanisë pretendojnë se disa prej pajisjeve u dërguan edhe drejtpërdrejt në Kinë, pavarësisht kufizimeve amerikane.
Megaspeed i ka mohuar shkeljet e ligjit, duke deklaruar se vepron në përputhje me rregullat e zbatueshme të eksportit.
Dyshimet për spiunazh dhe hetimet ndaj çiftit
Skandali mori përmasa edhe më të mëdha pas raportimeve se autoritetet amerikane dyshojnë që Alice Huang mund të jetë rekrutuar nga shërbimet kineze të inteligjencës për shkak të afërsisë së saj me Jensen Huangun.
Megjithatë, këto mbeten dyshime të raportuara nga mediat dhe nuk është provuar se Alice Huang ka kryer veprimtari spiunazhi.
Qeveria kineze i ka mohuar akuzat, duke i cilësuar pretendimet për spiunazh si spekulime të pabazuara.
Ndërkohë, autoritetet e Tajvanit i kanë revokuar Alice Huangut lejen e hyrjes dhe po shqyrtojnë nëse vizitat e saj kanë përfshirë veprimtari të paligjshme.
Edhe Singapori ka ndërmarrë masa ndaj saj.
Ministria e Punëve të Brendshme e Singaporit njoftoi më 12 nëntor se Alice Huangut i është ndaluar rikthimi në vend, pasi autoritetet konstatuan se ajo kishte dhënë informacione të pasakta gjatë hetimeve për Megaspeed.
Megjithatë, autoritetet e Singaporit sqaruan se nuk kishin gjetur prova të mjaftueshme për ta akuzuar atë për shkeljet që po hetoheshin në lidhje me kompaninë.
Ato theksuan gjithashtu se Alice Huang nuk ishte hetuar për spiunazh në Singapor.
Nga ana tjetër, Kang Wei ishte ndaluar më herët gjatë këtij viti në Shangai, në kuadër të hetimeve për manipulime të dyshuara në tregun e aksioneve. Sipas WSJ-së, ai është liruar së fundmi.
Dorëheqja e Jensen Huangut
Jensen Huang dha dorëheqjen nga drejtimi i Nvidia-s pas publikimit të raportimeve për marrëdhënien e tij me Alice Huangun dhe një aferë tjetër të dyshuar me një punonjëse të kompanisë.
Ai kishte pranuar më herët, në një letër drejtuar punonjësve, se kishte qenë jobesnik ndaj bashkëshortes së tij dhe kishte kërkuar falje për dëmtimin e besimit të familjes dhe punonjësve.
Pas dorëheqjes, Nvidia emëroi drejtoreshën financiare Colette Kress në pozitën e drejtoreshës së përkohshme ekzekutive.
Ndërkohë, zbulimet e fundit të WSJ-së kanë ngritur pyetje të reja për mënyrën se si marrëdhëniet personale të ish-drejtuesit të Nvidia-s mund të jenë ndërthurur me interesat e biznesit dhe çështjet e sigurisë kombëtare amerikane. /Reporteri.net