Këngëtarja spanjolle Rosalía ka shënuar një tjetër sukses të rëndësishëm në Latin Grammy, duke fituar për herë të tretë çmimin “Albumi i Vitit”, këtë herë me albumin “Lux”, të publikuar në vitin 2025. Me këtë arritje, ajo bëhet artistja e parë femër që fiton tri herë këtë çmim si interpretuese kryesore.

Ceremonia e 27-të e Latin Grammy u zhvillua më 12 nëntor në Las Vegas, ku Rosalía triumfoi në pesë kategori. Përveç çmimit kryesor, ajo u vlerësua për “Këngën e Vitit” dhe “Këngën më të Mirë Pop” me “La Perla”, për “Albumin më të Mirë Alternativ” me “Lux”, si dhe për videoklipin më të mirë të shkurtër me “Sauvignon Blanc”.

Artistja u emocionua kur mori çmimin nga këngëtari kolumbian Juanes, të cilin e falënderoi edhe për mbështetjen që i kishte dhënë në fillimet e karrierës së saj.

Reklamë

“Fakti që je ti ai që po ma dorëzon këtë çmim është diçka shumë e veçantë.”

Gjatë fjalës së saj, Rosalía e cilësoi albumin “Lux” si një rrezik personal dhe një mënyrë për të shprehur të vërtetën e saj përmes muzikës. Ajo ia kushtoi çmimin nënës së saj.

“Faleminderit, mami, që më ke bërë kjo që jam. Do ta sjell këtë Grammy në shtëpi. Nuk e di nëse do të ketë më vend për një tjetër në shtëpinë tënde, por gjithsesi do ta sjell.”

Rosalía hapi ceremoninë me një performancë të veçantë, ku interpretoi tri këngë nga albumi “Lux”. Ky projekt muzikor ndërthur muzikën klasike dhe operën, përfshin 14 gjuhë dhe trajton tema si feja, dashuria dhe identiteti femëror.

Ky është çmimi i tretë “Albumi i Vitit” për këngëtaren në Latin Grammy. Ajo e fitoi fillimisht në vitin 2019 me “El Mal Querer” dhe më pas në vitin 2022 me “Motomami”.

Reklamë